Arrestimi i Marko Gjuriqit, mars 2018

KMDLNj: Ekspozimi i Gjuriqit Para Qytetarëve, ‘Folklorizëm Politik’

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut konsideron se arrestimi i Marko Gjuriqit ishte veprim profesional nga ana e Policisë se Kosovës, por trajtimi i tij nga arritja në Prishtinë e deri tek transferimi në qendrën e ndalimit nuk ishte i duhuri.

“Nga aspekti i të drejtave të personave të privuar nga liria, personi i arrestuar duhet të trajtohet me dinjitet, në përputhje me standardet ndërkombëtare e që nuk është vepruar në këtë rast.  Marko Gjuriq i prangosur nuk ka paraqitur asnjë rrezik për Policinë e Kosovës dhe sigurinë dhe ekspozimi i tij para medieve të shumta dhe qytetarëve kur ka pasur mundësi që përmes rrugës së rregullt të dërgohet në Qendrën e Ndalimit paraqet trajtim degradues dhe poshtërues dhe si i tillë duhet të gjykohet edhe në rastin konkret por edhe në rastet tjera”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNJ-së, Policia e Kosovës në aspektin profesional është shumë e përgatitur dhe ndër më të mirat në rajon, prandaj nuk duhet t’i lejojë vetes t’i përsërisë gabime të ngjashme në të ardhmen, sepse të gjithë të arrestuarit duhet të trajtohen pa u diskriminuar dhe në përputhje me të drejtat e njeriut.

“KMDLNj kërkon hetim për këtë lëshim profesional që nuk është dashur të ndodhë. Intervenimin policor gjatë arrestimit të Marko Gjuriqit, KMDLNj e vlerëson si shumë profesional ndërkaq ekspozimin e panevojshëm para medieve dhe qytetarëve e sheh si folklorizëm politik dhe i ndikuar nga politika”, thuhet në komunikatë.

“Të drejtat e personave të privuar nga liria janë universale , nuk dallojnë nga përkatësia etnike, bindjeve politike apo statusit në shoqëri dhe vetëm si të tilla pranohen si standard i të drejtave të njeriut. Shpresojmë që Policia e Kosovës ta kuptojë këtë dhe se në të ardhmen nuk do të ndodhin lëshime të tilla”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNJ-së shqetësuese është edhe prania e ministrave serbë të Qeverisë së Kosovës në takimet ilegale të Gjuriqit dhe Vulinit.

“Shqetësimi i KMDLNj-së është edhe  prania e ministrave serbë të Qeverisë së Kosovës në takimet ilegale të Gjuriqit dhe Vulinit sikur edhe qëndrimi i tyre i hapur pro Serbisë dhe kundër Kosovës. Këta duhet të shkarkohen menjëherë”, thuhet në komunikatë.

KALLXO.com publikoi pamje nga momenti i sjelljes së zyrtarit serb në Prishtinë dhe bartja e tij në qendrën e ndalimit.