Auditori gjen shkelje në ndarjen e 92 mijë eurove për KMDLNj-në për monitorimin e gjykimeve në Hagë  

KALLXO.com ka arritur të zbulojë një raport të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, i cili ka evidentuar disa probleme në mënyrën se si janë shpenzuar 92 mijë euro, të cilat Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) i kishte pranuar nga qeveria për monitorimin e seancave në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas raportit, paratë e buxhetit të Kosovës, të cilat kanë qenë të dedikuara për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit, fjetjes e përfaqësuesve të KMDLNj-së dhe shpenzimet e tjera administrative, për të monitoruar seancat gjyqësore të ish-luftëtarëve të UÇK-së, janë shpenzuar në një formë tjetër.

Rreth 92 mijë euro të cilat i kishte marrë në dy pjesë të ndara në vitin 2018 dhe vitin 2021, KMDLNj i kishte shpenzuar për të paguar stafin dhe qiranë e zyres. 

Pas konstatimit të kësaj, Ministria e Drejtësisë ka shkëputur Memorandumin e Mirëkuptimit me KMDLNj-në dhe ka kërkuar kthimin e parave.

“Ne i kemi monitoruar seancat nga distanca dhe ne nuk kemi asnjë përgjegjësi sepse nuk është varë nga ne a do të shkojmë në Hagë apo jo. Paratë janë shpenzuar për atë projekt për monitorim të seancave nga distanca sepse s’ka pasur mundësi fizike. U dasht me angazhu staf, u dashtë me pasë zyre. I kemi paguar punëtorët dhe zyrat”, ka deklaruar kryetari i KMDLNj-së, Behxhet Shala në arsyetimin se pse nuk kanë udhëtuar për monitorim të seancave.

Shala ka shtuar se pengesë për vizitat ka qenë edhe pandemia COVID-19. Ai ka treguar se vizitat e para në Hagë kanë filluar të bëhen më 15 prill të vitit 2021 edhe atë të familjarëve të ngushtë. 

Ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit e ka pasur obligim të sigurojë qasje për monitoruesit e KMDLNjsë në Dhomat e Specializuara.

“MD nuk i ka lajmëru fare Dhomat e Specializuara po kanë shkuar vetë një ekip i tyre dhe ne nuk kemi arritur me shku atje sepse nuk kemi pasur mundësi teknike dhe nuk kemi pasur mundësi për shkak të COVID-it. Ne kemi aplikuar dhe ata na kanë kthy përgjigje që nuk lejohet për shkak të COVID-19”, ka deklaruar Shala. 

Përveç 92 mijë eurove të cilat i kanë marrë përmes dy vendimeve të ndara. Vendimi i parë për ndarjen e mjeteve është marrë më 19 korrik 2019, nga Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

“Ndahen mjete financiare në shumë prej 45,900 euro për KMDLNj. Mjetet financiare barten nga kodi i Ministrisë së Drejtësisë dhe shërbejnë për mbulimin e shpenzimeve të nevojshme financiare për anëtarët e KMDLNj-së për monitorimin e proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Kurse, vendimi i dytë për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 45,900 euro është marrë nga ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. 

Një kërkesë e tretë për 45 mijë e 900 euro të tjera ishte bërë në Ministrinë e Drejtësisë në fillim të mandatit të ministres Haxhiu, por e njëjta nuk e ka aprovuar kërkesën madje edhe ka shkëputur Memorandumin e Mirëkuptimit.

Shala ka thënë për KALLXO.com se në fillim të muajit mars do të raportojë për paratë që ka marrë nga buxheti i Kosovës dhe të cilat nuk janë shpenzuar për monitorimin e seancave gjyqësore në Hagë, për të cilat ishin të dedikuara. 

Kërkesat për mbështetje financiare të KMDLNj-së janë bërë bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit të datës 26 shtator 2018, të nënshkruar ndërmjet KMDLNj-së dhe MD-së, me qëllim të bashkëpunimit në mbështetje të anëtarëve në misionin monitorues për Dhomat e Specializuara për mbulimin e shpenzimeve të nevojshme financiare për anëtarët e KMDLNj-së, kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës dhe realizimin e vizitave në institucionet ku mbahen të paraburgosurit apo të dënuarit eventual nga Dhomat e Specializuara.

Gjetjet e auditimit të brendshëm 

Më 5 janar të këtij viti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte kërkuar auditim të veçantënga Njësia e Auditimit të Brendshëm. 8 ditë më vonë, kjo njësi kishte dorëzuar raportin e auditimit në lidhje me paratë të cilat janë ndarë për KMDLNj-në për monitorimin e seancave gjyqësore në Hagë.

Njësia për Auditim të Brendshëm ka konstatuar se KMDLNj nuk ka realizuar udhëtime zyrtare në Dhomat e Specializuara. Përvec kësaj, auditori ka konstatuar se KMDLNj nuk ka raportuar mbi shpenzimet e mjeteve të ndara dhe nuk i ka ofruar Ministrisë së Drejtësisë dëshmi për shpenzimet e ndërlidhura për monitorimin e seancave gjyqësore në Dhomat e Specializuara.

“KMDLNj nuk e ka përmbushur nga Memorandumi i Mirëkuptimit dhe vendimi i Qeverisë”, thuhet në konstatimet e bëra nga auditori.

Përkundër shkeljeve, Ministria e Drejtësisë përsëri ka marrë vendim në shkurt të vitit 2021 për ndarjen e shumës prej 45,900 euro.

“Meqë KMDLNj nuk ka paraqitur raport financiar për shpenzimet e mjeteve të shfrytëzuara të vitit 2018, MD është dashur të ndërpres MeM e jo të ndajë mjete financiare për KMDLNj-në”, thuhet tutje në raportin e NjAB-së.

Në gjetjet e renditura në raportin e auditimit është edhe një vendim i ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, i cili më 26 shkurt 2021 ka ndarë edhe 45,900 euro të tjera për KMDLNj-në. Sipas Auditorit, ky vendim nuk është marrë në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit.

“Në asnjërin nga nenet e MEM nuk ceket se Ministria e Drejtësisë është e obliguar që të ndajë mjete financiare dhe të transferojë shumën prej 45,900 euro në llogarinë rrjedhëse të KMDLNj-së, apo shumat e pagesave në tri pjesë siç kërkohen nga KMDLNj”, theksohet në raport.

KALLXO.com në lidhje me këtë çështje ka kontaktuar edhe me ish-ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi. 

“Është e vërtetë që MD i ka dhënë një fond KMDLNj-së që ka punu edhe më herët në monitorimin e të drejtave të njeriut në SHKK. Kjo ka qenë një vazhdim i angazhimit të tyre që kanë pasur më herët. Arsyetimi dhe vendimi është bazuar mbi faktin që përvoja e KMDLNj-së mund të jetë një avantazh për monitorimin e të drejtave të njeriut në çdo gjykatë të Kosovës duke përfshi edhe Dhomat e Specializuara. Detajet e shpenzimeve ato çështje nuk kanë qenë për ministrin kanë qenë çështje administrative, unë e kam vazhduar një angazhim që e kanë pasur ata”, tha Selimi. 

Raporti konstaton që nëse KMDLNj nuk arrinë t’i argumentojë shpenzimet me raporte atëherë paratë duhet të kthehen në buxhet.

Njësia për Auditimin e Brendshëm e MD-së, ka rekomanduar ministren që të iniciojë procedura gjyqësore meqë KMDLNj nuk ka respektuar Memorandumin edhe përkundër që mjetet financiare janë ndarë dhe transferuar në KMDLNj.

KALLXO.com mëson se deri te auditimi i Memorandumit të Mirëkuptimit dhe dy vendimeve paraprake për ndarje të buxhetit për KMDLNj-në kishte ardhur pas kërkesës së tretë të bërë nga KMDLNj.