Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KMDLNJ reagon ndaj degradimit në pozitë të kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas degradimit të kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Radiotelevizionit të Kosovës, Fadil Hoxha, në pozitën inxhinier përgjegjës nga pozita udhëheqës i njësisë së hulumtimit.

KMDLNJ përmes një reagimi e ka quajtur ‘hakmarrje’ degradimin e Hoxhës.

“Gjithashtu, në disa raste kishte ndërmjetësuar (KLMDNJ) midis sindikatës dhe udhëheqjes së RTK-së dhe për një kohë gjërat ishin qetësuar për të shpërthyer kohëve të fundit  në formë të ngufatjes së veprimit sindikalist sikur edhe përndjekjes dhe degradimit në pozitë të drejtuesve të sindikatës, si hakmarrje për denoncim të dukurive negative gjithnjë sipas deklaratave të Sindikatës së Pavarur të RTK-së”- thuhet në reagim.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga Komisionit për Media i Kuvendit të Kosovës që të hetojë rastin përmes ballafaqimit të palëve.

“Në RTK-ë thuaja është krijuar një standard dhe traditë që të pengohet veprimi sindikalist, jo vetëm në këtë rast dhe, meqë kemi dy pohime që e përjashtojnë njëra – tjetrën, ajo e kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së për degradim pesë (5) shkallësh në pozitë dhe të Komisionit Disiplinor që në vendim thekson se kemi të bëjmë me një shkelje të lehtë disiplinore që sanksionohet me një ulje në pozitë, pa treguar as sa shkallë është kjo ulje, KMDLNj –ë kërkon nga Komisioni Parlamentar për Media që të hetojë këtë rast përmes ballafaqimit të palëve para Komisionit përkatës dhe të vërtetohet nëse pohimet e Fadil Hoxhës e që sinjalizojnë për shkelje të rënda në RTK-ë janë të sakta apo se vendimi i Komisionit Disiplinor është në përputhje me gjendjen faktike dhe shkeljeve disiplinore të kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së”- vazhdon reagimi i KLMDNJ.

Hoxha ishte degraduar në muajin dhjetor në pozitën inxhinier përgjegjës nga pozita udhëheqës i njësisë së hulumtimit sepse kishte thirrur Policinë e Kosovës pasi kishte pranuar një e-mail për mosprezencë në vendin e punës.

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës kishte thënë se kryetari i saj, Fadil Hoxha, ishte kërcënuar me masa ndëshkuese, për shkak se i njëjti në kohën kur është bërë një inspektim në zyrë nuk ka qenë i pranishëm.

“…në kohën kur Kryesia e Sindikatës mbante takim, në e-mailin zyrtar të kryetarit të Sindikatës, Fadil B. Hoxha ka ardhur një letër nga drejtori gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj dhe Udhëheqësi i Shërbimeve të Përbashkëta, Alban Fetahu ku kërcënohet kryetari i Sindikatës me masa ndëshkuese për shkak se gjatë inspektimit në zyrën e tij në ora 09:13 ai nuk ka qenë në zyre” – thuhej në reagimin e Sindikatës.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, kishte thënë se ai nuk e ka degraduar Hoxhën dhe se udhëheqësi i Shërbimeve të Përbashkëta, Alban Fetahu, kishte konstatuar që thirrja e Policisë së Kosovës nga Hoxha është shkelje e kontratës.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast, KËTU mund t’i gjeni të gjitha raportimet.