Protesta e veteranëve, Foto: KALLXO.com

KMDLNJ kërkon që veteranët të përfshihen në ligjin e pagës minimale, por të rishikohen listat

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar ndaj protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës me kërkesën që të përfshihen në ligjin e pagave.

“Mbledhja e Kuvendit të Kosovës ishte paraparë të filloi në ora 11:00 kurse protesta e veteranëve filloi në ora 10:00 dhe po zgjatë ende”, thuhet në reagim duke u përmendur edhe numri i pjesëtarëve të njësisë Speciale të Kosovës si dhe topi me ujë për shpërndarje të protestave.

KMDLNj në reagim ka thënë se janë deklaruar se numri i veteranëve të luftës është i rritur përtej realitetit prandaj ka kërkuar që kjo listë të përmirësohet dhe ata që vërtetë kanë qenë veteranë dhe të cilët e fitojnë këtë status, duhet të kompensohen me një pagë të dinjitetshme që iu siguron një mbijetesë dhe jetesë në përputhje me nevojat dhe aktualitetin ekonomik.

“KMDLNj përkrahë çdo protestë paqësore, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe në këtë kontekst e përkrahë edhe protestën e veteran[ve të luftës e cila është imponuar për shkak të shpërfilljes së skajshme që ia bëjnë institucionet aktuale të Kosovës”, thuhet tutje.

KMDLNj vlerëson se Kryesia e Kuvendit dhe vet kryetari i Kuvendit është dashur ta pranojnë një grup përfaqësues të veteranëve të luftës, të dëgjojnë propozimet e tyre dhe të shmangin konfrontimin e veteranëve të luftës me Policinë e Kosovës e që është krejtësisht e panevojshme.

“KMDLNj nuk sheh asgjë të keqe nëse një grup përfaqësues i veteranëve të luftës të merr pjesë edhe në seancën e sotme të Kuvendit e që do të ishte si gjest i vullnetit të mirë të institucioneve për tejkalimin e situatës së krijuar që pashmangshëm, nëse nuk zgjidhet do të përshkallëzohet në të ardhmen. Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe bartësit e posteve institucionale shtetërore duhet ta kenë të qartë se pa kontributin e këtyre veteranëve, as ata nuk do të ishin në postin dhe vendin ku janë”, thuhet në reagim.

KMDLNj, thotë se e përkrahë protestën e veteranëve të UÇK-së duke ftuar palët që të ulen dhe përmes bisedimeve të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë në mënyrë që të mënjanohet përshkallëzimi i situatës sikur që ndodhi sot.

KMDLNj ka ftuar edhe institucionet e Kosovës të tregojnë më shumë respekt për veteranët e luftës dhe të mos i shpërfillin duke diskriminuar përmes përjashtimit nga Ligji për pagën minimale.

KMDLNj tha se edhe paga minimale e propozuar nga Qeveria e Kosovës 264 euro, më shumë paraqet fyerje për veteranët e UÇK-së se sa që është një vlerësim e lëre më shpagim për kontributin e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë.

VIDEO – Policia përdor sprej ndaj veteranët protestues