KGjK: Së shpejti departamenti Special i Gjykatës

Në mbledhjen e parë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nën udhëheqjen e kryesuesit të ri të KGjK-së, Skender Çoçaj, u premtua se departamenti special i Gjykatës që do të trajtojë lëndët e Prokurorisë Speciale, do të funksionalizohet së shpejti.

Kryesuesi Çoçaj kishte premtuar funksionalizimin e shpejtë edhe në intervistën e dhënë për emisionin “Jeta në Kosovë”, muajin e kaluar.

“Lidhur me Departamentin Special, Këshilli mori Vendim që këto lëndë të trajtohen deri në funksionalizimin e këtij departamenti. Kryesuesi Çoçaj, njoftoi anëtarët e Këshillit që Komisioni për funksionalizimin e departamentit në fjalë është duke punuar me shumë intensitet dhe pritet që së shpejti të filloi punën”, thuhet në njoftimin e KGjK-së.

Themelimi i një departamenti special në kuadër të gjykatës që do të trajtonte lëndët e Prokurorisë Speciale të Kosovës ishte njëri nga rekomandimet e raportit vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2017.

Ndër pikat tjera të mbledhjes inaguruese të KGjK-së njëzëri u miratua edhe Raporti Vjetor i KGjK-së të cilin e prezantoi Drejtori i Sekretariatit, Shkelzen Maliqi.

Më tej, në takim është shqyrtuar dhe miratuar edhe Raporti i Punës për vitin 2018 i Njësisë për Shqyrtimin e Performacës (NjShPGj), tani Njësi për Inspektimin Gjyqësor (NjIGj), që u prezantua nga drejtori i kësaj Njësie, z.Hydajet Hyseni.

Raporti i KGjK-së, është hartuar në bazë të punës dhe aktiviteteve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përfshirë këtu edhe Njësinë për Shqyrtimin e Performancës Gjyqësore, Panelin për Lirim me Kusht etj. Ndërsa, Raporti i SKGjK-së është hartuar në bazë të punës dhe aktiviteteve të të gjitha departamenteve dhe zyrave të SKGjK-së.

Këshilli, shqyrtoi dhe miratoi edhe Draft Rregulloren për Rekrutimin, Emërimin, Trajnimin, Shpërblimin,  Disiplinimin dhe Lirimin nga Detyra të Gjyqtarëve Porotë me disa plotësim ndryshime.

Pas diskutimeve, lidhur me ngarkimin me lëndë të gjyqtarëve me mandat fillestar që janë duke ndjekur Trajnimin Fillestar në Akademinë e Drejtësisë, Këshilli mori vendim që gjatë trajnimit fillestar, gjyqtarëve t’ju caktohen raste nën mbikëqyrjen e mentorit.

Bazuar në kompetencat e veta, Këshilli aprovoi edhe disa kërkesa të gjyqtarëve për transferim nëpër gjykatat themelore.

Dhe në fund, me rastin e daljes në pension të një gjyqtari në Gjykatën e Apelit – Divizioni në Mitrovicë, Këshilli vendosi që të shpallë konkurs.