Pamje nga diskutimi i sotëm i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - Foto: KALLXO.com

Kërkohet Siguri Financiare për Shërbimet Sociale për Fëmijë

Financimi i shërbimeve sociale në Kosovë ishte tema e diskutimit të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

Sipas KOMF, komunat e Kosovës nuk po ndajnë buxhet për shërbimet që duhet të ofrojnë, qoftë për institucionet ose qendrat sociale, qoftë për financimin e shërbimeve të ofruara nga sektori joqeveritar.

Sipas Koalicionit, komunat nuk po ofrojnë mbështetje as për familjet strehuese, as për ata me aftësi të kufizuara dhe as për qendrat për punë sociale.

Gjatë muajit janar në Kosovë ka pasur ndërprerje të shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara të ofruara nga qendra e kujdesit ditor PEMA, si dhe gjatë muajit shkurt është mbyllur edhe strehimorja e vetme në Kosovë për mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe të abuzimit dhe të trafikimit me rrezikshmëri të ulët.

Kjo strehimore, sipas KOMF-it, është hapur prapë në muajin mars, por që procedurat e zhvilluara gjatë kohës së mbylljes përbëjnë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

“Gjatë muajit shkurt, fëmijët të cilët kanë qenë të strehuar në këtë strehimore është dashtë që të zhvendosen detyrimisht në forma të tjera të kujdesit që përbënë shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve dhe ndikon negativisht në zhvillimin e fëmijëve në planin psikologjik dhe në integrimin e tyre”, tha Donjeta Kelmendi, drejtoreshë ekzekutive e KOMF.

Ndërsa zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi, tha se ata si ministri i kanë mbështetur dhe i kanë licencuar shumë organizata dhe shumë ofrues të shërbimeve sociale dhe ata kanë të drejtë të ofrojnë shërbime sociale.

Në këtë takim u tha se në Kosovë janë afro 20 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe vetëm 7 për qind e tyre janë të përfshirë në sistemin arsimor.

Sipas Liridona Zogajt nga organizata PEMA, pengesat kryesore që ata po i kanë për t’u ndihmuar fëmijëve me nevojë dhe për të ofruar shërbime sociale është mungesa e një buxheti të qëndrueshëm.

“Në vazhdimësi po kërkojmë mbështetje edhe nga niveli lokal, por nga ata po marrim përgjigje që në mungesë të një granti specifik ata e kanë të pamundur për të ofruar mbështetje. Ndërsa subvencionet nuk janë të mjaftueshme”, tha ajo.

Në vitin 2014, emisioni “Jeta në Kosovë” kishte bërë një hulumtim rreth asaj se sa janë të përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara në sistemin e arsimit në Kosovë.

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi rastin e familjes Bajramaj nga Novosella e Pejës, e cila ka dy vajza me nevoja të veçanta, dhe e cila qe dy-tre muaj është në hall sepse organizata ku i çonte vajzat është mbyllur.

http://kallxo.com/familja-kerkon-ndihme-per-vajzat-nevoja-te-vecanta/