Nëna dhe fëmija, Foto:Gentiana Ahmeti:KALLXO.com

Si i gjeti 1 Qershori fëmijët në Kosovë

Dita ndërkombëtare e fëmijëve gjen Kosovën me arsim jocilësor, mungesë të trajtimit shëndetësor adekuat, mos krijim të mundësisve për përfshirje të barabartë në aktivitete sociale, sidomos tek fëmijët e komuniteteve.

1 Qershori shënon ditën ndërkombëtare të fëmijëve dhe zakonisht në vende të botës përcilllet me aktivitete të ndryshme që organizohen nga qeverisjet lokale, qendrore e organizata të shumta.

Në Kosovë po ashtu kjo ditë përcillet me aktivitete të ndryshme, por nuk bëhet shumë thirrje nga ana e prindërve apo nga autoritetet që fëmijëve t`u plotësohen kushtet për një rritje të mirëfilltë me sistem të mirë arsimor, qasje të barabartë, trajtim shëndetësor e social.

Sidoqoftë ka angazhim nga të gjithë akterët që kjo gjendje të përmirësohet, të ofrohen shërbime cilësore shëndetësore e arsimore dhe që të gjithë fëmijët të kenë çasje në këto shërbime.

Gjendja me sistemin e edukimit në Kosovë

Sipas të dhënave nga organizata UNICEF fëmijët e Kosovës ende kanë pengesa të mëdha në jetësimin e të drejtave të tyre themelore. Fëmijët në zonat rurale kanë më pak mundësi që të kenë qasje në arsim.

Bazuar në anketën e Grupeve me Tregues të Shumëfishtë (Multiple Indicator Cluster Surveys -MICS), vetëm 15 për qind e fëmijëve dhe tetë për qind e fëmijëve nga komuniteti rom, ashkali apo egjiptian të moshës 3-5 vjet, vijojnë programin për edukim të hershëm. 

Sipas UNICEF , Investimi i ulët nga institucionet e Kosovës në kujdesin dhe edukimin në fëmijëri të hershme i ka kufizuar edhe më shumë programet cilësore që janë në dispozicion. 

 Ky kombinim i disponueshmërisë së kufizuar dhe kërkesës së ulët për kujdes dhe edukim në fëmijëri të hershme nënkupton se shumë fëmijë nuk futen në sistemin edukativ deri një vit para se të hyjnë në kopsht, që rezulton me fëmijë që mbeten prapa në zhvillim social dhe edukativ.

Kujdesi dhe edukimi në fëmijërinë e hershme janë edhe më kritik tek fëmijët e vegjël me aftësi të kufizuara, ku mundësitë e tyre janë edhe më të kufizuara. 

Derisa, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) deklaron se Kosova vazhdon të mbetet vendi me përfshirjen më të ulët në edukimin parashkollor në rajon. 

Sipas tyre, këto të dhëna tregojnë që pjesa dërrmuese e fëmijëve në Kosovë në vitet e para rriten në mjediset familjare, kryesisht me prindërit apo kujdestarët, pa ndonjë mbështetje institucionale.

Në Kosovë ka mungesë edhe të programeve alternative për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, të cilat do të ju shërbenin prindërve, familjeve dhe kujdestarëve për të edukuar fëmijët në ambiente familjare.

Lidhur me gjendjen në arsim, organizata Save the Children potencon se normat e ulëta të pjesëmarrjes në arsimin parashkollor të fëmijëve 3-5 vjeç ndikon negativisht në zhvillimin e tyre kognitiv, emocional dhe social. 

Nga ana tjetër, edhe në ciklin e ulët të arsimit fillor, ka sfida të mëdha në cilësinë e mësimdhënies, infrastrukturën e shkollave, trajnimin e mësuesve dhe pjesëmarrjen e prindërve. Kjo, sipas tyre çon në rezultate të dobëta të nxënësve në testet ndërkombëtare si PISA dhe TIMSS.

Kujdesi shëndetësor ndaj fëmijëve

Mungesa e sigurimit shëndetësor, mjekëve familjarë, barnave por edhe infrastruktura mjekësore ndikon direkt në kualitetin e shërbimeve që u ofrohen fëmijëve në Kosovë.

Sipas KOMF në Kosovë nuk bëhet as “screening test” te të porsalindurit në institucionet publike shëndetësore. Ky test diagnostikon një sërë sëmundjesh menjëherë pas lindjes së foshnjës që mundëson trajtimin e sëmundjeve me kohë.

Sipas Raportit të organizatës Balkan Sunflowers Kosova, mbi gjendjen shëndetësore të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Komunën e Fushë Kosovës, Shtimes, Obiliqit dhe Graçanicës, 16 % të të porsalindurve dhe 63% të nënave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nuk kanë pasur vizita shëndetësore postnatale pas lirimit nga spitali. 

Ndërsa, sipas raportit “Treguesit kryesorë të Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë – MICS” të publikuar në nëntor 2020 nga ASK dhe zyra e UNICEF në Kosovë vetëm 38% e fëmijëve që jetojnë në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë vaksinuar plotësisht.

E shqetësim tjetër është edhe mungesa e shumë barnave në listën esenciale të Ministrisë së Shëndetësisë.

UNICEF deklaron se treguesit e shëndetit të fëmijëve në Kosovë ende janë ndër më të varfërit në rajon, që tregojnë për boshllëqe si në qasje ashtu edhe në cilësinë e kujdesit.

Në disa prej Qendrave të Mjekësisë Familjare në disa komuna ka mungesë të gjinekologëve dhe pediatërve, për shkak të shuarjes së pozitave të specializuara në kujdesin parësor. Në raste të tilla pacientët kanë problem të shkojnë në komuna të mëdha për të marrë shërbime.

Shërbimet sociale tek fëmijët

Qendrat për Punë Sociale në Kosovë përballen me sifda të ndryshme në aspektin e burimeve njerëzore dhe financiare andaj shërbimet e tyre jo gjithmonë arrijnë të gjithë fëmijët dhe familjet në nevojë. 

Sipas Save the Children, në mungesë të një stabilitetit financiar dhe numrin e pamjaftueshëm të punonjësve social, Qendrat për Punë Sociale mbingarkohen me reagim në raste emergjente duke mos pasur mundësi të fokusohen në shërbimet parandaluese.

Sipas statistikave të ASK-së, 5 % e fëmijëve në Kosovë punojnë punë të rënda, 8 % e fëmijëve të moshës 2 – 17 vjeç në Kosovë, kanë vështirësi funksionale të paktën në një fushë. 

Derisa, vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale.

Sipas Analizës për gjendjen e Qendrave për Punë Sociale, të publikuar nga Ministria e Drejtësisë dhe KOMF në muajin e fundit, nga 28 Qendra për Punë Sociale që janë përgjigjur në pyetësor, vetëm 1 prej tyre posedojnë ambient miqësor për fëmijë për raste të kontaktimit apo ofrimit të shërbimeve për fëmijë. 

QPS-të e tjera kanë raportuar se nuk kanë hapësira të dedikuara dhe miqësore për fëmijët. 

Në disa raste, edhe kur dhoma miqësore ekziston në kuadër të QPS-ve, mungon qasja e lehtësuar për fëmijët me aftësi të kufizuara. Pra, në rastet kur fëmijët janë viktimë apo dëshmitarë të dhunës në familje, QPS-të nuk kanë kapacitetet dhe ambientet e nevojshme për trajtimin/intervistimin e fëmijëve.

Kjo nënkupton që edhe sa i përket burimeve njerëzore, në QPS nuk ka staf të specializuar për intervistimin/trajtimin e fëmijëve që janë viktimë apo dëshmitar të dhunës në familje.

Sipas UNICEF, shumë fëmijë humbin mundësitë për gjithëpërfshirje, pjesëmarrje e përftimin nga shërbimet sociale nëse jetojnë në zona rurale, e në veçanti nëse janë nga komuniteti rom, ashkali apo egjiptian, i kanë prindërit me arsim të ulët ose vijnë nga familje te varfëra.

Përafersisht 23 % e fëmijëve të Kosovës jetojnë në varfëri dhe 7 % jetojnë në varfëri të skajshme.

Hapat që duhet të marr politika

Qeveria e Kosovës në 2020 ka futur në fuqi ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, e që sipas organizatave, kjo ka krijuar momentum të ri juridik.

Sipas KOMF ky momentum dhe obligim ligjor kërkon nga institucionet që të ndërmarrin veprime konkrete për të bërë funksionale dhe zbatuar dispozitat e këtij ligji që në përmbajtje është i pari i këtij lloji në Republikën e Kosovës.

Ky Ligj përfshin edhe edukimin dhe zhvillimin e mirëfilltë të fëmijëve në Kosovë. 

Sipas këtij grupi të organizatave, disa nga hapat që duhen marrë me urgjencë janë: të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshihen në shkollë, të kenë qasje në shërbimet shëndetësore dhe sociale, hapje të institucioneve të reja parashkollore, rritjen e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, përfshirë sigurimin shëndetësorë.

Derisa, UNICEF  u bën thirrje autoriteteve që t’i vazhdojnë e t’i rrisin investimet për fëmijë. U kërkojmë atyre të sigurojnë që politikat në zhvillim e sipër ndaj sfidave makroekonomike t’i mbrojnë shërbimet sociale, fëmijët dhe familjet më të varfëra.

Save the Children potecnoi se ka ende sfida të mëdha që duhet të adresohen, siç janë: ulja e nivelit të varfërisë dhe papunësisë, luftimi i diskriminimit dhe dhunës në shkolla, rritja e pjesëmarrjes së fëmijëve me aftësi te kufizuara dhe të pakicave etnike, dhe nxitja e bashkëpunimit mes prindërve, mësuesve dhe komunitetit.

Gjatë ditës së sotme në Kosovë u shënuan disa aktivitete në shënim të ditës ndërkombëtare të fëmijëve ku u marshua nga Katedralja “Nëna Terezë”, e drejt Teatrit Kombëtar në shenjë respekti e kujtimi për 1,432 fëmijët shqiptarë, të vrarë e të masakruar nga Serbia.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci po ashtu u takuan më fëmijë nga komuna të ndryshme. 

Aktivitete u organizuna edhe nga niveli lokal, ku komuna e Prishtinës mbajti asamblenë e fëmijëve.