Gjyqtari Beqir Kalludra |Foto: KALLXO.com
Kërcënohet Gjykatësi Beqir Kalludra, Arrestohen dy Persona
Dyshohet se gjykatësi Kalludra është kanosur me fjalë kërcënuese dhe hakmarrëse nga dy persona.
Kërcënimi dyshohet se Kalludrës i erdhi si pasojë e një dënimi të cilin e kishte shqiptuar dje kundrejt tre të akuzuarve për grabitje në shumën prej 5300 eurove.
Tre të akuzuarit u dënuan në total me 16 vjet e gjysmë.
Dyshohet se të arrestuarit në fjalë janë familjarët e njërit nga tre të dënuarit e djeshëm.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zyrtarja për informim e stacionit policor, Florie Ahmeti.
“AG.H 96 dhe A.H. 1974 janë arrestuar për veprën penale kanosje të një gjykatësi që ka ndodhur rreth orës 12:50”, tha Ahmeti.
Në ditën e djeshme gjykatësi Kalludra i shqiptoi Kastriot Hotit dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vjetësh.
Njësoj me gjashtë vjet burg e dënoi edhe Avdullah Shalën, ndërsa Labinot Zabelit i shqiptoi dënimin prej 4 vjetësh burg.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, tre të akuzuarit në bashkëkryerje, me përdorimin e forcës e kanë përvetësuar pasurinë e paluajtshme të personit tjetër, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, ashtu që më 13 mars 2017 rreth orës 10:25 në fshatin Henc, Komuna e Fushë Kosovës, pas përgatitjes paraprake, i kanë përcjellë personelin e Pompës “Al Petrol”, të dëmtuarit Ramadan dhe Rrahman Gërguri.
Dy të dëmtuarit sipas prokurorisë ishin të caktuar për kryerjen e transportimit të parave të qarkullimit ditor të pikave shitëse “Al Petrol”.
Me këtë rast të akuzuarit i kanë përdorur dy automjete, pronë e familjes së të akuzuarit Kastriot Hoti dhe Avdullah Shala, ndërsa i akuzuari Labinot Zabeli ishte në automjetin e markës “BMW”.
Më tej, aktakuza thotë se këta të tre kanë përcjellë të dëmtuarit Gërguri kur kanë bërë transportimin e parave, kështu që në momentin kur automjeti ishte duke lëvizur rrugës në dalje të nënkalimit, i akuzuari Avdullah me armë automatike AK-47 i është afruar automjetit për transportim të parave, ka dalë nga ana e pasagjerit- të dëmtuarit Ramadan Gërguri dhe ia ka thyer xhamin e veturës, duke e kanosur, ndërsa i akuzuari Hoti, ka thyer xhamin e automjetit nga ana e ngasësit me çekan metalik me të cilin e ka goditur në kokë të dëmtuarin Ramadan Gërguri dhe ka arritur që nga të dëmtuarit të marrë çantën me para të qarkullimit ditor në të cilën kishte 5300 euro, ndërsa çekanin e ka lënë në veturë.
Kundër aktgjykimit të shqiptuar në ditën e djeshme, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatë e Apelit brenda afatit ligjor.