Kandidatja e Konkursit të ATK-së Ankohet për Padrejtësi

Gashi aplikoi në pozitën Zyrtar Mbështetës për implementimin e Ligjit për Faljen e Borxheve në Administratën Tatimore të Kosovës, ndërsa u ankua në KALLXO.com, pasi nuk u thirr për t’iu nënshtruar testimit me shkrim, megjithëse pretendon që i ka plotësuar kriteret e konkursit.

“I kam dorëzuar dokumentet, por nuk më kanë thirrur për testin me shkrim. Jam interesu me ditë se cilat kushte nuk i kam plotësuar për testin me shkrim. Kam shkuar te zyrtarja për burime njerëzore, Teuta Morina. Më ka marrë në zyrë dhe më ka thënë se nuk e keni përvojën e punës. Unë përvojë pune kam dy vjet si menaxhere. Kam punu në ‘Okaidi’ në ‘Albi Mall’ në Veternik,” shpjegon Gashi.

Gashi që ka të kryer Fakultetin Ekonomik, ndërsa po ndjekë studimet e magjistraturës thotë se i është kërkuar përvojë pune në fushën e tatimeve vetëm sa për ta “hequr qafe”.

“E kemi gjetë aplikacionin dhe e kemi parë që ka qenë dëshmia e përvojës së punës, pastaj më kanë thënë se duhet të jetë përvojë pune në tatime sa për me më heq qafe. Jam dalë prej zyrës, e kom vërtetu që nuk është kërku as përvojë pune, e as praktikë pune, e as përvojë punë lidhur me tatime,” tregon Gashi.

KALLXO.com ka siguruar konkursin e ATK-së për pozitën ku konkurroi Shkurte Gashi.

Për pozitën Zyrtar Mbështetës për implementimin e Ligjit për Faljen e Borxheve kërkohet diplomë universitare në ekonomik, juridik apo biznes, njohuri themelore të sistemit tatimor në Kosovë, njohuri kompjuterike në programet e Microsoft Office, aftësi të mira në komunikim dhe aftësi për të punuar në ekip dhe mospasje të dosjes penale.

Gashi ankohet se e pritën keq në ATK kur shkoi për sqarime.

“Më kanë thënë na bëjmë çka të duam, na e thërrasim kënd të kemi qejf ne. Ti nuk ke mundësi me na u përzier në punën tonë” tregon Gashi.

Blerta Nikçi, zyrtare për informim e Administratës Tatimore e pranon se Shkurte Gashi ishte në ATK për sqarime, por mohon se asaj iu tha se zyrtarët e ATK-së e pranojnë kë të duan në punë.

“Kandidatja Shkurte Gashi ka ardhur në zyrat e ATK-së duke kërkuar sqarim në Zyrën e Divizionit të Burimeve Njerëzore të ATK-së lidhur me konkursin. Ajo ka marrë të gjitha sqarimet e nevojshme nga ATK-ja, ndërsa  lidhur me aludimin e saj se gjoja ka deklaruar se ne e thërrasim kë të duam, ky pohim i saj nuk është aspak i vërtetë,” thotë Nikçi.

Megjithë ankesat, Gashi nuk planifikon ta padisë Administratën Tatimore të Kosovës. Thotë se një avokatë te i cili ka dashur të ankohet nuk i ka dhënë shpresë se mund të merret parasysh ankesa e saj dhe ajo është tërhequr.