Kadri Veseli pret në takim nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, i cili po qëndron në Kosovë bashkë me një delegacion nga SHBA-ja.

Kryeparlamentari Veseli në këtë takim ka vlerësuar mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën, ku ka kërkuar që amerikanët të kenë rol më aktiv në dialogun me Serbinë.

“Me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik dhe të administratës së Kongresit Amerikan pata një diskutim përmbajtjesor për Kosovën dhe zhvillimet rajonale. U fokusuam tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksova vendosmërinë tonë për t’u përpjekur në arritjen e një marrëveshje ligjore gjithëpërfshirëse që siguron njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, BE dhe NATO. Për ta bërë këtë gjë, presim që SHBA-të të luajnë një rol më aktiv për të mbështetur këtë proces”, ka thënë Veseli.

Ndërsa nënkryetari Wilson, është shprehur i kënaqur me vizitën e tij në Kosovë, ku tha se Këshilli i Atlantikut do të angazhohet edhe më shumë brenda SHBA-së për të shtuar vëmendjen ndaj Kosovës.