Kadri Veseli Kërkon Ndihmën e Akademisë për Shtet Ligjor

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar ndihmën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) për zhvillimin e, siç u shpreh ai, një shteti ligjor dhe për zgjidhjen e situatës aktuale në Kosovë.

Këto kërkesa ai adresoi gjatë vizitës që i ka bërë Akademisë për nder të dyzet vjetorit të themelimit të saj.

“Akademia mund të japë kontribut edhe në aktualitetet tona të zhvillimeve të një shteti ligjor të standardeve perëndimore”, tha Veseli.

Hivzi Islami, kryetari i AShAK, tha se institucionet duhet të zgjidhin problemet pa dhunë dhe me dialog.

“Natyrisht që nuk jemi indiferentë ndaj krejt kësaj që po ndodh sot. Jemi pjesë e saj por institucionet janë ato që duhet t’i zgjidhin të gjitha problemet në institucione pa dhunë, me qetësi me dialog”, tha Islami.

Islami gjithashtu theksoi se Akademia është në gjendje të keqe financiare bashkë me Universitetin e Prishtinës.

“Jemi keq jo vetëm ne, është keq është edhe Universiteti, janë keq institutet dhe ne nuk jemi indiferentë për çka po punohet e çfarë po ndodh në institucionet e tjera”, tha Islami.

Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit, duke komentuar draft ligjin e ri për Akademinë tha se roli i Akademisë është i pazëvendësueshëm në një shoqëri demokratike, në promovimin e shkencës.

“Akademia e Shkencës me ligjin e ri po e merr statusin e merituar. Akademia e Shkencës së Kosovës është anëtare e plotë e Akademisë Evropiane dhe është një model evropian i Akademive”, tha ministri Bajrami.