Kaçaniku. Foto: Atdhe Mulla

Kaçaniku në zi për nder të dy policëve të vdekur

Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi e ka shpallur ditën e mërkurë, ditë zie në shenjë nderimi dhe rrespekti për dy policët, Malsor Dashi e Armend Trena që e kanë humbur jetën në krye të detyrës pas rënies me veturën zyrtare në lumin Lepenc.

“Të gjitha angazhimet institucionale të parapara për këtë ditë pezullohen”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryetari Ilazi.

Në nderim të dy policëve, Komuna e Kaçanikut po ashtu do të vendosë flamujt në gjysmë-shtizë.

Të shtunën e 28 prillit, dy policët Armend Trena e Malsor Dashi kishin rënë me veturën zyrtare të Policisë në lumin Lepenc, në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit, te vendi i njohur si ‘Kulla me qeshme’.

Me 3 maj, pas pesë ditë kërkimesh është gjetur trupi i policit Malsor Dashi, i cili është vorrosur me 4 maj.

Kurse trupi i policit Armend Trena është gjetur dje nga Njësitë e kërkim shpëtimit të FSK-së, Policisë së Kosovës dhe AME-së (Agjencisë së Kosovës për Emergjenca).