Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit

Lista Serbe shpall 3 ditë zie për të vrarët e grupit terrorist

Subjekti politik Lista Serbe përmes një shkrimi në Facebook kanë njoftuar se kanë shpallur 3 ditë zi për siç e kanë quajtur ata, ngjarjen tragjike në Banjskë të Zveçanit.

Policia e Kosovës ka vrarë 3 pjesëtarë të grupit terrorist, të cilët mëngjesin e së dielës kryen akt terrorist mbi Policinë e Kosovës, duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku.

Në deklarimin e tyre Lista Serbe thotë se kanë shpallur ditë zie për vdekjen e bashkëqytetarëve të saj.

“Datat 26, 27 dhe 28 shtator janë shpallur ditë zie për vdekjen e bashkëqytetarëve tanë në një ngjarje tragjike në Banjskë të komunës së Zveçanit” – ka thënë nga Lista Serbe.

Tutje ata kanë njoftuar se përgjatë këtyre 3 ditëve të ndalohen të gjitha ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe flamujt do të ulen në gjysmështizë.

Po ashtu sot gjatë ditës edhe qeveria serbe shpalli 27 shtatorin ditë zie në Serbi pas vrasjes së 3 pjesëtarëve të grupit terrorsit.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Të hënën Policia e Kosovës prezantoi pajisjet luftarake ushtarake të grupit terrorist.

Ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë kanë dënuar sulmin terrorist të këtij grupi në veri të vendit.

Dy prej pjesëtarëve të grupit terrorist janë dërguar sot në gjykatë me masa të larta të sigurisë.