Foto: Kallxo.com

Jahja Lluka për të zhdukurit: Serbia e di ku janë njerëzit tanë

Në mbledhjen e Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur është diskutuar për zhvillimet e fundit për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, për gërmimet vlerësuese që janë bërë në disa lokacione në Serbi përfshirë Preshevën e Rashkën si dhe në Kosovë në një lokacion në fshatrat Izbicë, Polac e Majac  javën e kaluar.

Komisioni tha se nga këto gërmime nuk janë gjetur asnjë mbetje mortore nga lufta e fundit në Kosovë.

Kryetari i Komisionit, Prenk Gjetaj tha se kompetencat për pranim- dorëzimin e mbetjeve të identifikuara i takojnë klasës politike në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë me një dinamikë të madhe, me gërmime vlerësuese sepse jemi shumë vonë. Përveç këtyre aktiviteteve të gërmimeve vlerësuese do të përmendim edhe takimin që e kemi zhvilluar në Beograd po theksoj marrëveshjen për pranim- dorëzimin e mbetjeve të identifikuara. Marrëveshje, e cila ka ekzistuar që nga koha e UNMIK-ut, e ka trashëguar në heshtje EULEX-i por është punë që duhet ta kryejnë institucionet e Kosovës, e cila i ka marrë të gjitha kompetencat nga ata”, tha Gjetaj.

Po ashtu Gjetaj tregoi se që nga nesër do të fillojë ndarja e mjeteve për ndihmën dhe përkrahjen e shoqatave të familjeve të personave të pagjeturve.

“Ne i kemi kërkuar disa dokumentacione, të cilat na i kanë sjellë shoqatat. Në ditën për persona të pagjetur, kryeministri ka marrë vendim që t’i përkrah këto shoqata me 25 mijë euro”, tha Gjetaj.

Këshilltari i Kryeministrit i emëruar edhe Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, tregoi për takimet që do t’i bëjë shteti i Kosovës në vazhdimësinë e procesit për zbardhjen e personave të zhdukur.

“Më 5 nëntor do të jemi në Hagë ku të gjitha komisionet Rajonale do të nënshkruajmë një plan operacional për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Kjo do të bëhet me mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP). Më 17 dhe 18 nëntor do të kemi një punëtori në Sarajevë për ligjin për personat e pagjetur është kriju një diskutim që familjarët të marrin një pension dhe jo tjetrit ne do të punojmë një draft rezolutë dhe do të u dërgojmë personave kompetent, familjet e personave të zhdukur duhet t’i mbështesim financiarisht”, tha Lluka.

Lluka po ashtu tha se vazhdimisht janë duke kërkuar nga shteti serb hapja e arkivave për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Serbia e din ku janë njerëzit tanë, Serbia e dinë sepse  çdo gjë e ka bërë me plan, kanë bërë skica dhe e dinë ku janë njerëzit tanë, nëse ata nuk duan të bashkëpunojnë ne do t’i gjejmë të gjitha, ne vazhdimisht po kërkojmë që të hapen arkivat”, deklaroi Lluka.

Lluka shtoi se hetimet për varrezat në Serbi tash janë individuale, tashmë nuk ka më gërmime për varreza masive si më herët, por gjithmonë këto hetime do të bëhen me pjesëmarrjen e mjekësisë ligjore të shtetit të Kosovës.