Zdravko Mamiq, Foto: Balkan Insight/Beta

Ish-shefi i klubit të futbollit ‘Dinamo Zagreb’ dënohet për mashtrim

Zdravko Mamiq, ish-shefi i klubit kroat të futbollit Dinamo Zagreb, u shpall fajtor për mashtrim duke shmangur taksat dhe duke marrë miliona nga transferimet e lojtarëve.

Zdravko Mamiq, ish-shefi i Dinamo Zagrebit, vëllai i tij Zoran Mamiq, Damir Vrbanoviq, një ish-drejtor i Dinamos dhe zyrtari i taksave, Milan Pernar u dënuan të mërkurën për të vjedhje të rreth 116 milionë kunave (15.5 milionë euro) nga klubi i futbollit dhe për mashtrim të shtetit me rreth 12 milionë kuna (1.8 milion euro) me taksa të papaguara.

Me vendimin e shkallës së parë, Zdravko Mamiq u gjet fajtor për të dy pikat e aktakuzës dhe mori gjashtë vjet e gjysmë burgim.

Vëllai i tij Zoran mori katër vjet e 11 muaj, Pernar katër vjet e dy muaj dhe Vrbanoviq tre vjet.

Paratë që zotëroohen nga Zdravko Mamiq do të konfiskohen nga llogaritë e tij në disa banka.

“Aktgjykimi më ka befasuar, por arsyet për këtë aktgjykim më bëjnë të trishtuar”, tha ai të mërkurën në një konferencë shtypi.

Asnjë nga të pandehurit nuk u paraqit në gjykatë. Mamiq është aktualisht në Medjugorje në Bosnjë dhe Hercegovinë pas kalimit të kufirit të martën, një ditë para vendimit.

Pas vendimit, Mamiq tha për N1 TV se ai po planifikon të qëndrojë në Bosnje dhe do të vendosë se çfarë hapash shtesë mund të ndërmarrë për “të provuar pafajësinë e tij”.

Gjykata kroate lëshoi ​​një urdhër arresti për Mamiqin, por pasi ai mban shtetësinë boshnjake, Sarajeva nuk u pajtua ta ekstradonte atë.

Megjithatë, ai mohoi se ai ka ikur.

“[Vizita në Bosnje] nuk ishte planifikuar, por ishte spontane, ndjeva se duhej të shkoj diku për të gjetur paqe. Kam vlerësuar se të jesh këtu është më mirë për mua se sa të jesh në sallën e gjyqit në Osijek ku do të jem i irrituar”, këmbënguli Mamiq të martën.

Të hënën, Mamiq akuzoi ish-prokurorin e shtetit, Dinko Cvitan dhe USKOK, organin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për ushtrimin e presionit në gjykatë për të lëshuar një vendim të tillë.

Procesi gjyqësor trevjeçar shpesh u ndërpre, Mamiq u përjashtua nga gjykata për sjellje të papërshtatshme si fyerja e gjykatës, dhe u arrestua dhe u lirua disa herë me kusht.

Mamiq, vëllai i tij dhe Vrbanoviq, ish-drejtori i Dinamos, u arrestuan në korrik të vitit 2015, me dyshimin për përdorimin e klubit për evazion fiskal, ryshfet dhe veprimtari të tjera korruptive. Pas pagesës së dorëzanisë të lirimit me kusht prej 1.6 milionë euro, të tre u liruan nga burgu në korrik.

Në nëntor të vitit 2015, Mamiq u arrestua përsëri, kësaj here bashkë me djalin e tij, me dyshimin për tërheqjen e parave përmes kompanive në det të hapur për të shmangur pagesën e taksave. Ai u lirua muajin pasues, pasi kishte paguar lirimin me kusht prej 1.8 milionë eurosh.

Mesfushori i Real Madrid dhe kapiteni i ekipit të Kroacisë Luka Modriq, si dhe Dejan Lovren, lojtari i Liverpoolit, dëshmuan në gjyq si dëshmitarë. Të dy janë akuzuar për dhënien e dëshmisë së rreme.

Është vërtetuar se Dinamo i ka paguar Luka Modriqit një pjesë të tarifës së transferimit, pjesa më e madhe e të cilave u kthye te Zoran Mamiq dhe familja e tij në para të gatshme, ndërsa Lovren ia ka përcjellur të gjithë shumën që ai e ka fituar nga transferimi i tij menjëherë në llogarinë e Zoran Mamiq.

Në maj u zbulua se në mesin e dokumenteve që Mamiq i dorëzoi gjykatës së Osijekut, për të cilin ai pretendonte se ishte “një dëshmi e pafajësisë së tij” ishte një letër me udhëzime për Lovrenin rreth asaj se çfarë të thoshte në gjykatë.