Hysri Peqani - 'Burdushi'

Caktohet seanca gjyqësore ndaj “Burdushit”

Gjykata e Prishtinës ka caktuar seancën gjyqësore ndaj Hysni Peqani i njohur si “Burdushi”, i cili nga ana e prokurorisë Speciale po akuzohet për tri vepra penale.

Për KALLXO.com gjykatësi i rastit Arben Hoti, ka thënë se seanca fillestare në këtë rast do të mbahet më 30 tetor.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për tre vepra penale ndaj Hysri Peqanit të njohur si “Burdushi”.

Ai akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore, armëmbajtje pa leje dhe shpëlarje të parasë.

Sipas Prokurorisë Speciale, që nga vitit 2005 kur Hysri Peqani “Burdushi” ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare, të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 deri në 3,000 euro në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie, 55 fishekë në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale, Burdushi që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale, duke filluar nga viti 2006 parat e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria ka Burdushit i ka sekuestruar edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ky rast nga Prokuroria Speciale është i shënjestruar si dhe i koduar “Mashtrimi”.

Prishtinë: Së shpejti nis gjyqi ndaj “Burdushit”

Në një proces të mëhershëm gjyqësor, Hysri Peqani dy herë ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prizrenit për veprën penale të mashtrimit dhe në të dy rastet Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Ndërsa kur po pritej të zhvillohej gjykimi i tretë ndaj të akuzuarit Hysri Peqani, i njohur si ‘Burdushi’, atij i është parashkruar lënda.

Parashkrimi absolut apo vjetërsimi i lëndës nënkupton që ndaj tij ndërpritet çdo ndjekje penale dhe ndërpriten çdo procedurë penale që është duke u zhvilluar ndaj tij për aktakuzën për veprën penale të mashtrimit.

‘Burdushit’ i parashkruhet lënda për mashtrim