Foto: Kallxo.com

Ish-sekretarja e Ministrisë lirohet nga akuza për ryshfet, një e akuzuar dënohet

Ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Zana Kotorri, është liruar nga akuza për marrje të ryshfetit, ndërsa për veprën tjetër të keqpërdorimit të detyrës zyrtare Gjykata gjithashtu mori aktgjykim refuzues pas tërheqjes së prokurorit.

Aktgjykim refuzues u mor edhe për veprën penale të bashkimit kriminal, pasi edhe për ketë vepër prokurori i shtetit ishte tërhequr nga ndjekja.

Trupi gjykues i përbërë nga Nushe Mekaj, Mustafë Tahiri dhe Lutfi Shala, në arsyetimin e vendimit tha se prokurori nuk ka arritur me asnjë provë të vërtetojë se Kotorri ka marrë ryshfet dhe nuk janë vërtetuar as lidhjet e saj me Hana Berishën siç pretendonte organi i akuzës.

Ndërsa e akuzuara Ardiana Gorani, u shpall fajtore për veprën penale të mashtrimit dhe u dënua me 6 muaj burg.

Dënimi ndaj saj mund të zëvendësohet me gjobë me pëlqimin e saj.

Poashtu Gorani detyrohet që t’i kompensojë palët e dëmtuara në shumën prej 56,200 euro.

Dënimi ndaj saj erdhi pasi kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

https://kallxo.com/e-akuzuara-per-mashtrim-me-subvencione-e-pranon-fajesine/

Prokuroria Speciale e akuzonte Zana Kotorrin, se në cilësinë e sekretares së përgjithshme në Ministrinë e Kthimit në bashkëpunim me Hana Berishën ishin marrë vesh që të gjejnë persona të interesuar për subvencione nga kjo ministri dhe pastaj shumën e subvencioneve të ndajnë përgjysmë.

Sipas aktakuzës, përmes Berishës, e pandehura tjetër Ardiana Gorani kishte rënë në kontakt me Kotorrin, ndërsa kjo e fundit duke tejkaluar kompetencat e saj, ia kishte përgatitur dokumentet për aplikim për subvencione të pandehurës Gorani.

66.465.00 euro ishte shuma e subvencionit të projektit të shoqatës SHIPPL, me emër “Duam dhe mundemi së bashku”, e të cilat mjete pas ndarjes nga ana Ministrisë, të pandehurat i kishin ndarë mes tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, 33.232.00 euro i kishte marrë e pandehura Kotorri, 15.00.00 euro i kishte marrë Hana Berisha dhe pjesën tjetër e pandehura Gorani.

Në aktakuzë theksohet gjithashtu se të pandehurat, për çdo përfitues të subvencioneve kërkonin përqindje që shkonte nga 30 deri në 50 për qind nga shuma e subvencioneve.

Mbi këto fakte, kjo prokurori akuzonte të pandehurat se në bashkim kriminal, kanë kryer veprën penale të mashtrimit lidhur me subvencionet, ndërsa Zana Kotorrin edhe për veprën e keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.