Foto: Kallxo.com

‘200 unë, 200 ti’: Polici tregon në gjykatë për ryshfetin rreth një patentë shoferi

Një ish-i akuzuar i kthyer në rolin e dëshmitarit ka dhënë versionin e tij në gjykatën e Ferizajt të premten se si ishin marrë vesh bashkë me kolegun e tij që t’ia marrin 400 euro një personi nga Shtimja në mënyrë që atij të mos i konfiskohet patentë shoferi.

Në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Muhamer Miftari, kolegu i tij i dikurshëm Hyzer Dugolli i tregoi gjykatës për takimin me pronarin e patentë shoferit dhe pretendimin e tij për t’i ndarë paratë bashkë me Miftarin.

Sipas prokurorisë që nga data 05.09.2019 deri më datë 13.09.2019, në Shtime, të pandehurit Hyzer Dugolli dhe Muhamer Miftari si zyrtarë policor pranë Stacionit Policor në Shtime, kanë kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Bekim Rexhaj.

Sipas aktakuzës, këta dy policë i kërkojnë 400 euro të dëmtuarit me qëllim të mos ekzekutimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj për ndalimin e drejtimit të automjetit të kategorisë ‘’B’’në kohëzgjatje prej 6 muaj,

Prokuroria shpjegon se me datë 13.09.2019 rreth orës 12;45 në restorant ‘’Globus’’ i pandehuri Hyzer Dugolli ka pranuar për vete dhe për kolegun e tij Muhamer Miftari katër kartëmonedha nga 100 euro të vendosura në një pako të cigareve nga i dëmtuari , me ç’rast nga ana e Inspektoratit të Policisë është arrestuar në flagrancë.

Por në një seancë të tetorit të vitit të kaluar, është veçuar procedura ndaj policit Hyzer Dugolli pasi që ai e kishte pranuar fajësinë dhe është dënuar nga gjykata me 9 muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Burg për policin që mori ryshfet

Në seancën e sotme ndonëse ishte i bashkëakuzuar me Muhamer Miftarin, tani Hyzer Dugolli u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit në këtë rast.

Ai gjatë dëshmisë së tij deklaroi se e njeh Bekim Rexhajn i cili është i dëmtuari në këtë rast.

“Bekimi ka pasur një urdhëresë nga Gjykata për t’iu konfiskuar patentë shoferi. Ne e pritëm atë por kur pamë se ai nuk po vjen në stacion policor, unë dhe Muhamer Miftari kemi shkuar te shtëpia e tij, u takuam rrugës me të dhe u ndalëm te restorant ’Trofta’ për të pirë kafe”, tha Dugolli në dëshminë e tij.

Prokurori i rastit Veton Shabani e pyeti dëshmitarin se a ka pasur ndonjë propozim për çështjen e patentë shoferit nga ai apo nga Bekim Rexhaj.

“Ai na ka ofruar para që të mos ia marrim patentë shoferin”, u përgjigj dëshmitari.

Ai gjithashtu rrëfeu se ishte ai që ka shkuar në takim me Bekim Rexhajn për t’i marrë shumën prej 400 euro por për këtë ngjarje tha se ishte në dijeni kolegu i tij, Muhamer Miftari.

“Pasi që Muhameri ishte i zënë me disa punë në Stacion Policor, unë kam shku jam taku me Bekimin dhe i kam tregu Muhamerit. I njëjti ka qenë i njoftuar si dhe e ka ditë arsyen dhe qëllimin se përse unë po shkoj të takohem me Bekimin e qëllimi ka qenë ta marr shumën prei 400 euro nga Bekimi që të mos ia marrim patentë shoferin”, shtoi Dugolli.

Kur u pyet nga prokurori nëse kanë pasur qëllim që këto para t’i marrin së bashku, Hyzer Dugolli u përgjigj: “Po, dhe logjikisht kemi pasë me i nda nga 200 euro”.

Kryetari i trupit gjykues Mustaf Tahiri e pyeti dëshmitarin se a kishte pasur ndonjë kundërshtim nga Muhamer Miftari për këtë ngjarje me patentë shoferin për Bekim Rexhajn.

“Ishim pajtuar që shumën prej 400 euro ta marrim nga Bekim Rexhaj dhe ky ka qenë pëlqim i të dyve, nuk ka pasur ndonjë shenjë kundërshtimi nga ana e Muhamer Miftarit”, u përgjigj Hyzer Dugolli.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Muhamer Miftari deklaroi se pse kishte shkuar bashkë me kolegun e tij Hyzer Dugolli te lokali i Bekim Rexhajt në Shtime.

Miftari tregoi se së bashku me kolegun e tij Hyzer Dugollin dhe të dëmtuarin Bekim Rexhaj kanë pasur një takim në shtëpinë e Bekim Rexhajt.

“E kemi njoftuar se kemi një urdhëresë për konfiskim të patentë shoferit për 6 muaj, ai na tha se jam i njoftuar për këtë”, tha Miftari

Gjatë pyetjeve të avokatit të tij Avni Ibrahimit, i akuzuari Miftari tha se pas atij takimi, Bekim Rexhaj kishte shkuar te shtëpia e tij.

“Më tha që kërkoj nga ti që të ma gjesh një njeri në gjykatë që t’i jap para për të mos më konfiskohet patentë shoferi. Unë i kam thënë mos eja në shtëpinë time për këtë punë, dhe e kam përzënë nga aty”, tha Muhamer Miftari.

“E pas kësaj kam vërejtur se Bekimi ka krijuar një urrejtje për mua nga dita që e kam përzënë nga shtëpia”, shtoi ai.

Anëtari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi, e pyeti të akuzuarin Muhamer Miftari nëse ai si polic me përvojë 20 vjeçare, e kishte kuptuar që bëhej fjalë për ryshfet në momentin kur Bekim Rexhaj kishte kërkuar prej tij që t’ia gjejë një person në gjykatë për t’i dhënë para në mënyrë që të mos i konfiskohet patentë shoferin.

“E kam kuptuar por ai nuk ka nxjerrë para”, tha i akuzuari.

Më pas gjyqtari Bytyqi e pyeti nëse ai kishte bërë ndonjë raport zyrtar për këtë.

“Jo se ky veç ka kërku, ka lyp ndihmë me ja gjetë një njeri”, u përgjigj Miftari.

Fjala përfundimtare për këtë rast gjyqësor është caktuar të mbahet më 20 janar.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast ;

Shtime, polici arrestohet për marrje ryshfeti

Shtime, polici arrestohet për marrje ryshfeti

Shtime, polici arrestohet për marrje ryshfeti