Gjykimi për ryshfet - Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Zyrtari i Ministrisë mori 5.000 euro ryshfet në projektin e ndërtimit të shkollës

Mungesa e dëshmitarëve ka bërë që të shtyhet seanca gjyqësore në gjykimin ndaj zyrtarit të inspektimit të projekteve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) Musa Shala dhe ndaj përfaqësuesit ligjor dhe drejtorit të kompanisë “Ndërtimi”, Mustafë Mustafa, të cilët akuzohen për veprën penale marrje e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës.

Dy të akuzuarit ngarkohen se këto vepra i kanë kryer lidhur me tenderin për ndërtimin e shkollës së mesme në Podujevë në tetor të vitit 2009.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi bëri të ditur se në seancën e sotme mungojnë dëshmitarët Gani Bytyqi dhe Rafet Ibishi, të cilët ishin ftuar në mënyrë të rregullt nga ana e Gjykatës, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Ndërkaq  për dëshmitarin Avni Mustafa tha se Gjykata kishte verifikuar adresën e tij, por në  fletë-kthesa ishte vërtetuar se në atë adresë banon dikush tjetër.

Në seancën e sotme i pranishëm nuk ishte as përfaqësuesi i palës se dëmtuar, i cili Gjykatën e kishte njoftuar me një parashtresë se nuk do jetë prezent ne seancat gjyqësore.

Më pas gjykatësi Ibrahimi njoftoi se për dëshmitarët Bytyqi dhe Ibishi të cilët nuk e kishin arsyetuar mungesën e tyre, do të urdhërohet shoqërim me detyrim, pasi sipas tij Gjykata i kishte shtjerrë të gjitha mundësitë e ftesës në mënyrë të rregullt.

Ndërsa ky shqyrtim gjyqësor ka filluar rishtazi, pasi që kishin kaluar tre muaj nga seanca e fundit.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 26 shtator.

Sipas aktakuzës i pandehuri, Musa Shala si person zyrtar në mënyrë të drejtpërdrejt ka kërkuar dhe pranuar përfitim në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare. Ai akuzohet se ka kërkuar nga Nysret Berisha pesë mijë euro të cilat i ka pranuar në lokalin “Albana”.

Ndër tjera sipas aktakuzës ai ka nënshkruar situacionin e dytë në vlerë prej 155,202.04 euro sipas raportit të pagesës.

Sipas aktakuzës, Shala si zyrtar i inspektimit të projekteve, përkatësisht projekt-menaxher në MAShT, në dosjen e tenderit për punë në vlerë të madhe, përgatitur më 14 gusht 2009 me titull “Ndërtimi i objektit të shkollës së mesme”, pas lidhjes së kontratës mes autoritetit kontraktues përfaqësuar nga Xhemajl Buzuku dhe operatori ekonomik “Ndërtimtari” SH.P.K, përfaqësuar nga Avni Mustafa më 9 tetor 2009 në vlerë prej 2.226.064.30 euro dhe pasi që operatori ekonomik “Ndërtimtari” me bashkëpronarët Avni Mustafa dhe Mustafë Mustafa, i cili si porositës e ka përfaqësuar kontratën, e garantuar nga Rafet Ibishi, e të cilët e kanë fituar këtë tender me çmimin e përmendur, operatori ekonomik “ Ndërtimtari” më 14 shkurt 2011 ka nënkontraktuar me “Con Inga”, SH.P.K pronë e bashkëpronarëve Nysret Berisha dhe tani të ndjerit Naser Preniqi.

Në aktakuzë thuhet se Shala si zbatues i punimeve ka përfaqësuar kontratën, duke lidhur kontratën për ndërtim në shumë prej 1.384.689.50 euro, me të cilën kontratë veç tjerash është parashikuar që përfundimi i këtij projekti do të bëhet brenda 150 ditëve të punës nga dita e fillimit të punimeve për çdo faturë lidhur me punët  kryera në objekt, në vlerë prej 110 mijë euro pagesa do të bëhet në shumë prej 100 mijë euro pa llogaritur 10% që do të ndalet nga pagesa e çdo fature.

Me këtë konsiderohet se ka kryer veprën penale marrje ryshfeti dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Kurse i pandehuri Mustafë Mustafa, i cili në cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit ligjor dhe drejtori i kompanisë së ndërtimit “Ndërtimtari”, në emër të kësaj kompanie ka lidhur kontratë me autoritetin kontraktues në vlerë prej 2,226,063.30 euro e më pas ka lidhur kontratë ndërtimi me të njëjtin autoritet kontraktues me çmim kontraktues tjetër, në vlerë prej 1.384,689,50 euro, duke nënkontraktuar mbi vlerën 40% të vlerës totale të kontratës gjë që është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Me këtë konsiderohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare.