Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Dy rojet e pyllit dënohen me nga 6 muaj burg e 500 euro gjobë për 100 euro ryshfet

Më 6 shkurt 2019, Gjykata e Prizrenit i kishte dënuar rojet e pyllit Avdi Trollin dhe Nuhi Bajraktarin me nga 6 muaj burg e 500 euro gjobë secilin.

Ata akuzoheshin se në tetor të vitit 2014 kanë marrë nga Fehmi Qatani 100 euro ryshfet për të mos e paraqitur rastin e tij në Gjykatë.

Dënim i rëndë për rojtarët e pyllit që morën 100 euro ryshfet

KALLXO.com mëson Gjykata e Apelit e ka vërtetuar këtë dënim me burgim dhe gjobë ndaj dy të akuzuarve.

Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve për lartësinë e dënimit.

“Këto dënime të shqiptuara ndaj të akuzuarve janë në përpjesëtim me peshën e veprave penale të kryera dhe përgjegjësinë penale të kryesve dhe me këto dënime do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë me ligj“, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të muajit maj 2019.

Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit: Tonka Berishaj, Avdullah Ahmeti dhe Xhevdet Abazi.

Dy të akuzuarit ishin obliguar po ashtu që të bëjnë kompensimin e dëmit ndaj të dëmtuarit Fehmi Qatani në vlerë prej 100 euro.

Avdi Trolli dhe Nuhi Bajraktari gjatë gjykimit kishin mohuar këto akuza të Prokurorisë.

I akuzuari Avdi Trolli kishte thënë: “Mua më ka paraqitur dëshmitari  Xhafer Shukolli, sepse i njëjti ka shumë fletëparaqitje. Ai ka tentuar që në çdo mënyrë të më dëmtojë, sepse 13 fletëparaqitje i ka prej meje, e Fehmia nuk e di pse më ka paraqitur, por kjo ka qenë e përgatitur nga Xhafer Shukolli”.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se derisa i akuzuari Avdi Trolli ishte në detyrë të rojtarit në Njësinë Ekonomike në Carralevë, Fehmi Qatanin e ka hasur duke prerë dru me motosharrë, dhe ka kërkuar nga ai që të shkojë në restorantin “Giri” në Qafë të Duhlës, pasi që ka nevojë të konsultohet me kolegë të tjerë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se përball restorantit i afrohet i akuzuari Nuhi Bajraktari, duke i thënë “nëse ka para për t’i dhënë, nuk do t’i shkruajnë procesverbal, por do ia falin”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Qatani ia jep 45 euro të akuzuarit Bajraktari, i cili fillimisht i merr këto para dhe shkon në konsultim me të akuzuarin Trolli, i cili ishte në automjet, ku ky i fundit e hap dritaren e automjetit dhe nga aty i gjuan paratë dhe kërkon nga i dëmtuari 100 euro për mosparaqitje të rastit në Gjykatë.

Sipas aktakuzës i dëmtuari pas 30 minutave të akuzuarve ua kishte sjellë 100 euro.