Foto: Kallxo.com

Polici tregon si u kapën në flagrancë inspektorët e dyshuar për 50 euro ryshfet në Fushë Kosovë

Në seancën e sotme në rastin e të akuzuarve Adnan Jupolli dhe Gazmend Jashari, është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, zyrtari policor Fitim Zeqiri.

Jashari dhe Jupolli po akuzohen se më 13 shkurt 2020, rreth orës 12 gjatë inspektimit të lokalit “Froni” në Fushë Kosovë, pasi kanë gjetur se lokali nuk ka pasur arkë fiskale kanë kërkuar dhe pranuar nga pronari ryshfet prej 50 euro nga pronari i lokalit Zymer Elshani.

Dëshmitari Fitim Zeqiri tha se përderisa kishte qenë në lokalin “Fron Cafe, i dëmtuari Zymer Elshani i kishte treguar se të dy inspektorët e ATK-së i kanë kërkuar 50 euro që të mos dënohej.

“Kam qenë duke pirë kafe dhe Zymer Elshani më ka ftu te banaku. Ai e ka ditë se unë jam polic dhe më ka thënë se “inspektorët e ATK-së kanë ardhë për inspektim dhe po më kërkojnë një shumë prej 50 euro”. Kurse unë i thash “Edhe?”. Zymer Elshani më tha, “nuk dua t’ua jap 50 euro”. Pastaj i thash Zymerit që nëse kjo që thua është e vërtetë, merre banknotën prej 50 euro fotografoje ashtu që të shihet numri serik dhe iu jep ato 50 euro”, tha dëshmitari Zeqiri.

Ai poashtu shtoi se Zymer Elshanit i ka thënë që tasinjalizojë sapo t’ua japë paratë.

“Poashtu i thash të më jep ndonjë shenjë që ata kanë marrë bankënotën. Zymer Elshani ka vazhdu dhe është ulë me inspektorët, pas pak prezent në atë moment ka qenë vetëm një nga inspektorët kurse tjetri ka qenë jashtë. Me Zymerin ka qenë inspektori Adnan Jupolli, kurse nga jashtë ka ardhë dhe inspektori tjetër Gazmend Jashari dhe është ulë me ta”, shtoi dëshmitari Zeqiri.

Aktakuza thotë se të akuzuarit i kishin thënë pronarit të lokalit se mund ta dënojnë deri në 1 mijë euro mirëpo nëse i njëjti u ofron ryshfet prej 200 euro mund të mos shqiptojnë gjobën dhe të largohen.

Tutje në aktakuzë shkruan se pasi pronari i lokalit nuk i kishte 200 euro, të akuzuarit i kishin kërkuar shumën prej 50 euro.

Pronari i lokalit rastin e kishte paraqitur te polici Fitim Zeqiri, e më pas ekipi policor me të ndaluar veturën e ATK-së te të akuzuarit kishin gjetur shumën prej 50 eurove e cila është sekuestruar nga policia.

Gjykata aprovoi pjesërisht propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve që në seancën e radhës në cilësi të dëshmitarit të ftohet, Ragip Sahiti, zyrtar i ATK-së. Ndërsa u refuzua propozimi i mbrojtësve, që zyrtarisht të kërkohet lista e punëtorëve të subjektit “Fron Cafe” në Fushë Kosovë.

Seanca e radhës u caktua për datën 2 dhjetor, në ora 9:30.