Rrustem Mustafa | Foto: Facebook

Ish-Komandanti: Specialja Nuk Degradon Vlerat e UÇK-së

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa konstatoi sot se Kosova duhet të përballet me Gjykatën Speciale.

“Gjykata speciale do t’u japë fund spekulimeve kundër kohës së lavdisë…Me dinjitet do të kalohen sfidat, nga akuzat do të dalim faqebardhë”, shkroi Mustafa në facebook.

Ai më tutje shprehu mendimin se Gjykata Speciale nuk ka rrezik ta degradojë luftën e UÇK-së.

“Lirinë po e gëzojmë të gjithë, UÇK-ja, ka përfunduar misionin me sukses, nuk ka rrezik të bëhet degradimi i vlerave të UÇK-së, askush nuk do të tentojë ta bëjë këtë”, vijoi postimi i Mustafës.

Ish-deputeti i PDK-së në periudhën e tretë legjislative më tutje tha se nuk duhet t’i marrim kohë vendit në ecjen në rrugën europiane.

“Jemi provuar kaq shumë vite, duhet përfunduar edhe këtë sprovë, nuk kemi pse i marrim kohë ecjes së vendit drejt perëndimit (Europës)”, shkroi Mustafa.

Ai deklaroi se ShBA-ja e ka dëshmuar përkrahjen për Kosovën.

“SHBA-të, e kanë dëshmuar edhe më herët përkrahjen për Kombin tonë, gjykata speciale do të vërtetojë këtë, dyshimet për individët duhet rrëzuar, kjo kërkohet tani, luftëtarët e lirisë do të dalin faqebardhë”, përfundoi postimi i Mustafës.

Para katër ditësh edhe kreu i Kuvwendit dhe PDK-së Kadri Veseli deklaroi se Gjykata Speciale do të ndodhë.

http://kallxo.com/veseli-gjykata-speciale-te-ndodhe/

Më 22 dhjetor 2017, disa deputetë me nënshkrimet e tyre kërkuan shfuqizimin e ligjit që i dha dritë të gjelbër themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së.

Por atë ditë Kryesia e Kuvendit dështoi dy herë të mblidhet për shkak të mungesës së kuorumit për ta dërguar këtë nismë në Kuvend.

Ambasadorët e ShBA-së dhe Britanisë atë ditë reaguan ashpër kundër kësaj nisme, ndërsa sot Zyra e BE-së kërkoi që deputetët nënshkrues të tërhiqen nga nisma e shfuqizimit të ligjit për specialen.