Foto: Kallxo.com

Ish-drejtori i privatizimit: Kam kundërshtuar lirimin e ndërmarrjes ‘FAN’ nga monitorimi

Në pjesën e pasdites, në gjykimin ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Osmani dhe shtatë të akuzuarve të tjerëve, që lidhet me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë, mbrojtjen e ka dhënë i akuzuari Shkelzen Lluka, ish-drejtor i APK-së.

Në lidhje me pretendimet e prokurorisë se i akuzuari Shkelzen Lluka nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me vendimin e bordit për të liruar ndërmarrjen FAN nga privatizimi, i akuzuari tha se ai me datën 20 korrik të vitit 2011 në mbledhje të bordit e kishte kundërshtuar një gjë të tillë.

Këtë kundërshtim të tijin në atë mbledhje ai e bazoi duke e lexuar procesverbalin e asaj mbledhje.

“Z. Lluka nuk ishte në favor të lirimit, ai tha se blerësi e ka fituar kontratën e spin off-it special bazuar në zotimet e veta të cilat askush nuk e ka detyruar të i bëjë ashtu që ai duhet të i përmbush zotimet e tij dhe të mos paraqes investime jo relevante si investime të duhura, ai theksoi se sipas standardeve të auditimit investimet e bëra jashtë territorit të ndërmarrjes nuk mund të pranohen si investime”, thuhej në procesverbalin e mbledhjes së 36 të bordit të datës 20 korrik 2011, gjatë së cilës është diskutuar në lidhje me çështjen e lirimit të ndërmarrjes FAN nga monitorimi.

Në bazë të këtij procesverbali, Lluka tha se dëshmohet se menaxhmenti i AKP-së asnjëherë nuk është pajtuar që investimet e bëra jashtë territorit të ndërmarrjes të pranohen si investime kapitale në ndërmarrjen e re, dhe se një gjë e tillë është mbështetur edhe nga opinioni i departamentit ligjor sipas të cilit investimet jashtë zonës gjeografike të ndërmarrjes nuk mund të pranohen.

Por Lluka shtoi se në bazë të ligjit bordi nuk ka qenë i detyruar që të i marrë për bazë rekomandimet e menaxhmentit pasi që ka qenë në dorë të bordit që të vendoste në raport me çështje të caktuara.

I akuzuari Shkelzen Lluka deklaroi se në bazë të angazhimit të ekspertit ligjor nga Britania e madhe për interpretimin e të gjitha kontratave me spinfof special, rekomandimi ka qenë që ndëshkimet ndaj ndërmarrjes FAN nuk kanë qenë të aplikueshme pasi që kontratat kanë qenë të nënshkruara në bazë të ligjit anglez e jo të atyre në Kosovë.

https://kallxo.com/naser-osmani-ne-gjykate-po-u-pergjigjet-pyetjeve-te-avokatit-te-tij/

Para se të vijë mendimi i eksperteve anglezë, Lluka tha se AKM-ja kishte propozuar shqiptimin e ndëshkimeve ndërsa për menaxhmentin tha se sa i përket investimeve e ka pasur mendimin që blerësit të i tërhiqen aksionet sepse sipas menaxhmentit ato investime janë bërë jashtë zonave gjeografike të ndërmarrjes.

Lluka tha se në një nga mbledhjet e bordit ai ka propozuar që blerësi së bashku me kërkesën për pranim të investimeve jashtë territorit të ndërmarrjes së re gjithashtu të përfshijë edhe arsyetimin se nuk ka nevojë për investime të tjera brenda ndërmarrjes dhe se votimi rreth kësaj çështje të shtyhej për mbledhjen e radhës.

“Cilat janë veprimet me të cilat ju e keni lejuar vazhdimin e aktivitetit të ndërmarrjes së re FAN dhe a keni mundur ju si drejtor menaxhues me e ndal veprimtarinë, pa ndonjë vendim për zgjatjen e afatit të monitorimit nga ana e bordit”, e pyeti të akuzuarin avokati Florent Latifaj për çka ai u përgjigj se përderisa bordi nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për ndërprerje të audimit apo jo atëherë atyre u është dashur që të vazhdojnë me auditim.

“Ne akuzohemi se i kemi lejuar që të vazhdojnë auditimet pa vendim të bordit, por përderisa nuk kemi pasur ndonjë vendim të bordit përfundimtar për ndërprerjen e monitorimit atëherë duhet të vazhdohet me procesin e auditimit. Kjo mbështetet edhe në opinionin ligjor nga zyra ligjore e datës 22 prill 2009”, u përgjigj Lluka.

Një nga pikat tjera të akuzës e ngarkon Llukën se ai nuk ka ndërmarrë asgjë as në lidhje me hipotekimin e ndërmarrjes FAN,për çka ai deklaroi se në atë kohë as njësia e monitorimit e as menaxhmenti por as bordi nuk kanë mundur të jenë të njoftuar për hipotekimin e ndërmarrjes pasi që sipas tij hipoteka është vënë në maj të vitit 2008 kur ka ekzistuar vakumi institucional në mes të AKM-së dhe AKP-së.

Sa i përket vendimit të bordit për lirim nga monitorimi të ndërmarrjes FAN, Lluka tha se ai nuk ka pasur fuqi ligjore pasi që vendimet janë vetëm në diskrecion të bordit dhe se menaxhmenti nuk ka pasur të drejtë vote pos që ka mundur të jap rekomandime dhe se vendimet e bordit mund të anulohen vetëm nga dhoma e veçantë e Gjykatës Supreme.

Më pas i akuzuari tjetër Naser Osmani e pyeti Llukën nëse pas vendimit të bordit kishte pasur ndonjë ankesë në lidhje me atë vendim, për çka Lluka u përgjigj se nuk kishte pasur asnjë ankesë sa i përket këtij vendimi.

“Sipas kësaj d.m.th edhe ata që e kanë pasur të drejtën e ankimimit nuk e kanë bërë duke nënkuptuar se janë pajtuar të gjithë”, shtoi tutje i akuzuari Naser Osmani.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 23 gusht, ku pritet që të vazhdojnë ta japin mbrojtjen të akuzuarin e tjerë.

Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me 7 persona të tjerë po gjykohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë.

Në kohën për të cilën akuzohet, deputeti Osmani ka qenë anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Përveç tij, pjesë e gjykimit janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, dhe Adrian Kelmendi (të gjithë zyrtarë të AKP-së), si dhe Agim Deshishku si blerës i fabrikës “Fan”.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces.

Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

Shkrimi është edituar në njerin na emrat e të akuzuarve A.K për të cilin prokuroria është tërhjekur nga aktakuza.