Isa Mustafa: Zgjedhja e Presidentit Parandaloi Anarkinë

Zgjedhja e Presidentit të Kosovës, të premten e kaluar, sipas kryeministrit të vendit Isa Mustafa, nuk ka qenë vetëm përmbushje e një pike të marrëveshjes për koalicion qeveritar ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, por diçka më shumë.

Shefi i qeverisë, tha sot se dështimi për ta zgjedhur Hashim Thaçin në postin e të parit të shtetit do ta kishte çuar vendin në zgjedhje të parakohshme dhe me këtë, sipas tij, vendi do të kalonte në anarki.

“Ne e kemi zgjedhur Presidentin, kemi siguruar kontinuitetin e institucioneve, e kemi shpëtuar vendin nga shkuarja në zgjedhje të reja të cilat do të na çonin në anarki sepse nuk ka kushte që të mbahen zgjedhje të reja. Përndryshe po të kishte kushte, askush nuk i frikësohet zgjedhjeve”, tha Mustafa sot në Prishtinë.

Në deklaratën e tij, Mustafa iu referua kërkesës së opozitës për mosvotim të Presidentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ai foli edhe për akuzat e opozitës pas zgjedhjes së Presidentit dhe dyshimeve për presione ndaj deputetëve të LDK-së që ta votojnë Thaçin për President.

“Opozita mund t’i verifikojë akuzat e saj, askush nuk e ndalon, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Unë kam qenë aty dhe kam parë një proces krejtësisht kushtetues me pjesëmarrje të deputetëve siç e kërkon Kushtetuta dhe një demokraci shumë transparente”, tha ai duke shtuar se procesi ka qenë “shumë transparent”.

Zgjedhja e Presidentit i ka hapur rrugë një riformatimi të qeverisë së drejtuar nga Mustafa, pasi dy pozitat e mbajtura deri më tash nga Presidenti i zgjedhur, Hashim Thaçi, janë liruar.

“Sigurisht se ka. Do ta shohim atë mundësi që qeveria të jetë më efiçiente dhe t’i bashkërendisë më mirë të gjitha ato fusha, por mbetet tash që t’i shqyrtojmë e analizojmë edhe një herë situatën dhe të marrim vendim”, tha Mustafa.

Ai foli edhe për sulmet ndaj selisë dhe zyrave të disa degëve të LDK-së nëpër Kosovë pas votimit të Thaçit, por përjashtoi mundësinë që këto sulme të kenë ardhur nga brenda LDK-së si pasojë e ndonjë pakënaqësie për votimin e Thaçit në krye të shtetit.

“Gjendja në LDK është e shkëlqyeshme, brenda LDK-së nuk ka asnjë problem, ka problem jashtë LDK-së sepse po e sulmojnë LDK-në dhe po tentojnë që të gjitha llogaritë t’ia faturojnë LDK-së. Kjo është e padrejtë sepse LDK në këtë rast është parti shtetformuese, parti e cila ka përgjegjësi për ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.