Çerdhja e fëmijëve "Pëllumbat e Paqes" në Pejë - Foto: KALLXO.com

Inspektorët e AUV-it mbyllin çerdhen në Pejë

Inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë marrë vendim për mbylljen e çerdhes publike “Pëllumbat e Paqes” në Pejë.

Mungesa e kushteve higjienike dhe rreziku për shëndetin e fëmijëve ka qenë arsyeja e mbylljes së çerdhes nga inspektorët.

Inspektori i AUV-it, Valon Shala, ka thënë për KALLXO.com se rezultatet jo të mira të disa mostrave kanë bërë që çerdhja të mbyllet derisa të kryhen të gjitha procedurat e rekomanduara.

“Çerdhja duhet të jetë e mbyllur derisa të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi gjeneral i objektit. Të hënën objekti ka qenë i mbyllur dhe dje pasdite kanë filluar ta pastrojnë dhe unë kam qenë aty prej orës 16.00 kur kanë nisur ta pastrojnë”, tha Shala.

Sipas tij, drejtoresha e çerdhes duhet të prezantojë dezinfektimin e bërë nga një kompani e licencuar për këtë lëmi.

KALLXO.com ka provuar gjatë tërë ditës të kontaktojë me drejtoreshën e çerdhes, Resmije Bujupi, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur. As në çerdhe dhe e as në thirrjet telefonike drejtoresha Bujupi nuk ka qenë e qasshme.

Kurse, drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Besim Avdimetaj, ka mohuar të jetë mbyllur çerdhja nga inspektorët sanitarë.

“Nuk e ka mbyll, por ka qenë një kontroll rutinor që e bëjnë çdo vit dhe disa analiza të disa mostrave janë dalë jo pozitive, por është normale kur hynë e dalin shumë njerëz në të. Dhe tash janë duke e bërë pastrimin e saj dhe dezinfektimin dhe një ditë pasi të kryhet dezinfektimi do të mbyllet për ajrim të hapësirave”, ka thënë Avdimetaj.

Drejtori i Arsimit pranoi se disa rezultate kanë dalë jo të mira, mirëpo sipas tij, nuk ka pasur asgjë shqetësuese.

KALLXO.com ishte prezent në çerdhen “Pëllumbat e Paqes” gjatë ditës se sotme, ku brenda saj nuk vërehej prani e fëmijëve, por vetëm punëtor të pastrimit.

Por, inspektori i AUV-it tha se vendimi për mbylljen e çerdhes është dorëzuar edhe tek institucionet përkatëse deri në plotësimin e rekomandimeve të caktuara.

“Vendimin e ka edhe çerdhja edhe Komuna. Nëse ata (komuna) e kontestojnë ketë vendim dhe nuk i kryejnë masat që ne i kemi dhënë, atëherë ajo është vepër penale”, theksoi Shala.

Për mbylljen e çerdhes publike “Pëllumbat e Paqes” në Pejë, që gjendet pranë Fakultetit të Biznesit, ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas një reagimi të lëshuar për media, kërkohet menjëherë nga Komuna e Pejës të jepen sqarime për kushtet e këqija higjienike në çerdhe.