ARKIV: Fotografi nga migrimi në fund të 2014-ës dhe fillim të 2015-ës

Ikja e rinisë, për një vit afër 40 mijë kosovarë morën viza gjermane

Migrimi i qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian mbetet njëra ndër sfidat më të mëdha më të cilat përballet vendi që nga pas lufta.

Më qëllim të standardit më të mirë të jetesës, kosovarët janë vërsulur ambasadave të shteteve të ndryshme në Prishtinë, duke pritur me orë të tëra për të siguruar një vizë pune.

Një ndër shtetet ku qytetarët e Kosovës janë mjaft të interesuar për të punuar është Gjermania.

Ambasada Gjermane në Prishtinë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se vetëm gjatë vitit 2018 kjo ambasadë ka lëshuar rreth 38,000 viza.

“Prej tyre rreth 25,000 viza për qëndrim afatshkurtër (të ashtuquajturat viza Shengen për turizëm, udhëtime afariste etj.), ndërsa rreth 13,000 viza për qëndrim afatgjatë (bashkim familjar, punë, studime etj.)”, thuhet në përgjigjen e tyre përmes postës elektronike.

Sipas Ambasadës, duke pasur parasysh zhvillimet aktuale duket se shifrat për vitin 2019 do të jenë të përafërta me nivelin e periudhave referuese të viteve paraprake.

“Ambasada Gjermane në Prishtinë gjatë viteve të fundit ka ngritur ndjeshëm kapacitetet për shqyrtimin e kërkesave për viza. Megjithatë, numri i kërkesave edhe më tutje tejkalon kapacitetet e ambasadës. Për këtë arsye pritjet janë të pashmangshme”, është thënë në përgjigjen e tyre sa i përket numrit të madh të qytetarëve që presin në radhë jashtë objektit të Ambasadës.

Ikje masive që pas vitit 2014-të, së fundmi në janar të këtij viti shumë të rinj nga Kamenica u larguan nga Kosova në drejtim të Kroacisë, përmes vizave një vjeçare të punës.

“Tregoni atyre qeveritarëve tanë se është duke e humbur rininë. Ata janë duke e humbur jo ne. Ata [Qeveria] nuk po na e dinë vlerën neve, sepse as nuk po hapin vende të reja të punës”, kishte thënë një 24 vjeçar nga Kamenica prapa kamerës së KALLXO.com, në janar. 

Edhe në Kuvendin e Kosovës është mbajtur debat lidhur me “zbrazjen e Kosovës nga të rinjtë, si rreziku më i madh që i kanoset vendit që nga paslufta”.

Aty u tha se ikja e kosovarëve drejt perëndimit nuk është diçka e re, ngase kjo ka ndodhur në vazhdimësi. Mirëpo, sipas deputetëve, nëse në të kaluarën janë larguar për shkak të presionit nga regjimi serb, ata sot po largohen nga kushtet e këqija ekonomike.

Gjithashtu, u përmend se nga Kosova po largohen edhe persona me arritshmëri të lartë akademike, siç është rasti i mjekëve.

Vlen të përmendim edhe faktin që për disa muaj në vitin e kaluar, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, njëherësh zëvendëskryeministri i vendit, ka mbajtur takim me të rinjtë e Nismës në disa qytete të Kosovës gjatë së cilit iu drejtua se duhet të punojnë për të arritur dhe se dalja jashtë Kosovës nuk është zgjidhje, ndërsa ka thënë se nuk i pret askush me lule në dorë atje.

Partia e Limajt kohëve të fundit është akuzuar për numrin e madh të punësimeve nëpër institucione publike familjarë dhe militantë politikë.

Ndërkaq, të hënën, nga një raport i publikuar nga Instituti Epik është bërë e ditur se rreth 20 përqind e popullatës së Kosovës ka migruar nga vendi drejt vendeve të botës që nga shpallja e pavarësisë më 2008 e deri në vitin e kaluar.

“Në periudhën 2008-2018, gjithsej 203,330 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian (BE). Gjatë kësaj kohe poashtu, 141,330 qytetarë të Kosovës u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE”, thuhet në njoftimin e këtij Instituti.

Ndërsa, sipas një raporti të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thuhet se për periudhën 2013-2017 mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës dhe se pjesa dërmuese e emigrimit kishte përfshirë grupmoshat e reja kryesisht 25-44 vjeç.