Instituti Epik: Nga Kosova iku 20% e popullsisë

Rreth 20 për qind e popullatës së Kosovës ka migruar nga vendi drejt vendeve të botës që nga shpallja e pavarësisë më 2008 e deri në vitin e kaluar.

Kjo është shifra e fundit që ka publikuar Instituti Epik në raportin me emër “Ikja e madhe”.

“Në periudhën 2008-2018, gjithsej 203,330 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian (BE). Gjatë kësaj kohe po ashtu, 141,330 qytetarë të Kosovës të u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE”, thuhet në njoftimin e këtij Instituti.

Sipas Epik, nga viti 2016 ka një rënie të kërkesave për azil në shtetet e BE-së, mirëpo përsëri shifra për largimin e qytetarëve nga Kosova mbetet e lartë.

“Që nga viti 2016, Kosova ka shënuar një rënie të konsiderueshme si në numrin e kërkesave për azil ashtu edhe në numrin e shtetasve të Kosovës që u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE. Në fakt, viti 2018 ka qenë vit më trend më të mirë në të dyja kategoritë. Megjithatë, këto dy të dhëna përfaqësojnë 344,660 qytetarë të Kosovës të cilët kanë vendosur të ikin nga Kosova dhe të kërkojnë një jetë më të mirë në BE. Me fjalë të tjera, gati 20% apo 1/5 e popullsisë së Kosovës ka ikur nga Kosova.

Sipas Institutit Epik, të dhënat janë më shqetësuese nëse i shtohen shifrat e qytetarëve të Kosovës që kanë migruar për në BE përmes rrugëve tjera, siç janë vizat e punës.

Shkaqet kryesore për largimin e qytetarëve nga Kosova, Epik thotë se është gjendja politike dhe ekonomike.

“Shkaqet kryesore të cilat shtyjnë qytetarët e Kosovës drejt vendimit për të ikur nga vendi gjinden në pakënaqësinë e qytetarëve me gjendjen politike dhe ekonomike në vend, si dhe pritjet e tyre pesimiste për të ardhmen e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Institutit Epik të publikuar në “Facebook”.

Në fund të njoftimit, Instituti Epik ka publikuar edhe disa statistika të UNDP-së mbi pulsin publik. Shifrat tregojnë për një gjendje jo të mirë të të rinjve, kur ata flasin për të ardhmen dhe punësimin.

“Sipas pulsit të fundit publik të UNDP-së, 1/3 e të rinjve të Kosovës konsiderojnë se e ardhmja e Kosovës është në rrugën e gabuar. 73.5% e të rinjve nuk kanë ose kanë shumë pak pritje se do të gjejnë punë në gjashtë muajt e ardhshëm. 48% e të rinjve nuk besojnë që situata politike dhe ekonomike do të përmirësohet. Në këtë kontekst, të rinjtë e shohin migrimin si alternativën e tyre të vetme. 58% e të rinjve do të konsideronin migrimin në tre vitet e ardhshme. Nga ana tjetër vetëm 17.9% nuk do ta konsideronin migrimin si opsion”, thuhet në njoftimin e Epik.

Raportin e plotë të publikuar së fundmi nga Instituti Epik mund ta gjeni KËTU.

15 Prill 2019 - 21:34

Valon Fana 15/04/2019 - 21:34
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend