Albin Kurti në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Ikja e rinisë, Kurti: Të ketë banesa për çiftet e reja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për ikjen e të rinjve nga Kosova, ka thënë se njerëzit më shumë po ikin nga vendi sesa që po shkojnë.

“Kur shkon është e rëndësishme ku po shkon. Kur ikë është e rëndësishme prej nga po ikë. Këtu më shumë kemi të bëjmë me ata që po ikin përgjithësisht prej Kosovës sesa me ata që specifikisht po shkojnë në ndonjë vend të caktuar”, tha deputeti.

Kurti përmendi edhe rastin e ish-prokurorit Elez Blakaj, i cili kishte hetuar “listën e fryrë” të veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Njerëzit ikin nga ky shtet sepse iki edhe prokurori, si puna e Elez Blakajt nga kryeministri e Qeveria. Kosova është një vend prej nga nuk po ikin kriminelët, por po ikin prokurorët. Për t`i kthyer njerëzit ne njëherë duhet ta kthejmë Elez Blakajn. Emigrimi që ndodhë tek ne natyrisht që ka shkaqe ekonomik. Neve na ka ikë paraja. Kur ikë paraja, ikin njerëzit”, tha lideri i VV-së.

Deputeti opozitar foli edhe për mungesën e banesave për çiftet e reja.

“Të rinjtë e të rejat në të njëzetat e tyre fejohen dhe kalojnë vite të tëra e nuk martohen se s’kanë ku martohen. Janë të panumërta rastet kur çiftet e reja dalin të banojnë me qira dhe detyrohen të kthehen tek prindërit dhe ndoshta një ditë edhe ikin nga vendi. Ndërkaq në infrastrukturë e mendojmë vetëm asfaltin e jo banesat për çiftet e reja”, tha ai.

Ai shtoi se kjo është tejet e rëndësishme në mënyrë që të mos ikë rinia.

Kuvendi i Kosovë po zhvillon debat parlamentar lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë, “si rreziku më i madh që i kanoset vendit që nga paslufta”.