Gjykimi i Florim Sallahut - Foto: KALLXO.com

I pandehuri nuk ndihet fajtor për vrasjen e bashkëshortes dhe fqinjit

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi kundër të akuzuarit Florim Sallahu.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i akuzuari në shkurt 2017 në fshatin Vërnicë të Vushtrrisë, në vendin e quajtur “Te çeshmja”, në afërsi të lumit të fshatit, me dashje dhe me paramendim ka kryer dy vrasje për motive të ulëta.

Fillimisht ka privuar nga jeta tani të ndjerin Jahja Hajdinin dhe pastaj në dhomën e tyre të gjumit në shtëpinë e tij ka privuar nga jeta edhe bashkëshorten e vet – tani të ndjerën Miradije Sallahu.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri me qëllim që të vrasë tani të ndjerin Hajdini fillimisht i ka telefonuar duke i caktuar takimin dhe duke insistuar që tani i ndjeri të vinte me automjetin e tij afër shtëpisë së të pandehurit.

Sipas Prokurorisë, në këtë automjet ka hyrë i pandehuri Florim Sallahu dhe kanë vazhduar në drejtim të rrugës së fshatit për dalje në qytet, ku në momentin e arritjes afër lumit, i pandehuri ka nxjerrë armën e zjarrit duke e qëlluar tani të ndjerin Jahja Hajdini, i cili në ato momente ishte duke drejtuar automjetin.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas goditjes së pësuar, këmba e të ndjerit ka mbetur në pedalin e gazit të automjetit, me ç’rast është rritur shpejtësia e veturës dhe përfundon në lumin e fshatit. Kurse i pandehuri kishte arritur të hidhet nga vetura në tokë ku në ato çaste aty afër arrin dëshmitari Fatmir Sallahu, me automjetin e tij dhe i pandehuri duke e gënjyer kinse ka pësuar aksident, i kërkon dëshmitarit ta dërgojë në shtëpinë e tij.

Në vazhdim, sipas aktakuzës pasi që i pandehuri arrin në shtëpinë e tij ka shkuar në katin e dytë në dhomën e gjumit, ku bashkëshorten e tij e godet me armën e zjarrit, pastaj armën e fsheh pas objektit ndihmës te depoja e thëngjillit dhe ikë nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë”, nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 , 1.8 dhe 1.11 të KPRK-së.

Pas fillimit të seancës i pandehuri Florim Sallahu është deklaruar se nuk e ndien veten fajtor lidhur me veprat për të cilat akuzohet nga Prokuroria.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës lidhur me këtë rast e kanë dhënë dëshminë e tyre dëshmitarët Behar Rrustemi dhe Mergim Sallahu.

Pas pyetjes së prokurores Zejnije Kela lidhur me raportet ndërmjet të ndjerës Miradije Sallahu dhe të pandehurit Florim Sallahu, dëshmitari Behar Rrustemi (vëllai i të ndjerës) deklaroi se raportet midis bashkëshorteve kishin qenë të mira por as problemet nuk kishin munguar.

“Fillimisht kanë qenë raportet e mira, normal edhe unë kam mendu që janë të mira edhe më vonë, mirëpo këta si burrë e grua që kanë qenë kishin pasur probleme, disa prej tyre i kam ditë edhe unë “, deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari Rrustemi po ashtu ka deklaruar se dhëndri i tij, tash i pandehuri Florim Sallahu, kishte ushtruar dhune fizike ndaj motrës së tij tashmë të ndjerës Miradije Sallahu disa herë para se të ndodhte ngjarja tragjike.

Tutje gjatë dhënies së dëshmisë së tij Behar Rrustemi tha se i pandehuri Florim kishte dyshuar që motra e tij e kishte tradhtuar me dikë, ndërsa pasi që vetë dëshmitari kishte biseduar me të pandehurin, ky i fundit i kishte thënë: “Unë veç kam dyshu, nuk ka faj Miradija por unë kam qenë gabim, edhe ka premtu që nuk ka me ndodh më“, tha dëshmitari para trupit gjykues.

Gjithashtu dëshmitari tregoi se dy ditë para se te ndodhte ngjarja, motra e tij tashmë e ndjera Miradije Sallahu i kishte thënë se Florim Sallahu kishte dyshuar tek ajo se po e tradhtonte me Jahja Hajdinin.

Kurse viktima Miradije Sallahu lidhur me këtë vëllait të saj, dëshmitarit Behar Rrustemi i kishte thënë se “Hajdinin e ka pasur Florimi shok dhe pa punuar në shtëpinë e tij, ndërsa motra e ka mohuar se ka pasur ndonjë lidhje me tani të ndjerin Jahja“, tregoi dëshmitari.

Dëshminë në këtë seancë e ka dhënë edhe Mergim Sallahu, vëllai i të pandehurit.

Pas pyetjes së prokurores Zejnije Kela dëshmitari rrëfeu se si kishte ndodhur ngjarja.

“Mua më kujtohet që vëllai im Florim Sallahu atë mbrëmje ka ardhë ne shtëpi dhe ka qendru 5 minuta. Jemi kanë krejt aty, masandej kemi shku te gjithë me flejtë, edhe Florimi me bashkëshorten e ndjerë. Më pas kam qëndru vetëm në dhomë aty dhe kam dëgjuar një zhurmë dhe pas pak i kam dëgjuar të shtënat e alltisë- armës edhe kam vrapu shpejt për me këqyr çka ka ndodh, edhe e kam parë të shtrirë në tokë të ndjerën bashkëshorten e vëllait tim”, rrëfeu dëshmitari.

Më tej ai tha se i është afruar Florimit dhe e ka pyetur se çka ka ndodhur.

“Pastaj ai më ka thanë se unë e kam bo këtë vrasje për shkaqe morale dhe ka dalë prej shtëpisë me vrap me armë në dorë. Jam mundu me ia dhanë ndihmën e parë të ndjerës, e kam pa që nuk po jep asnjë shenjë për jetë, pastaj e kam njoftu Policinë “, deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari tha se i kishte dëgjuar vetëm dy të shtëna dhe se ka qenë i tronditur nga ajo që kishte parë.

Në vazhdim të marrjes në pyetje nga prokurorja e rastit, Zejnije Kela, dëshmitari pohoi se i akuzuari dhe bashkëshortja e tij kanë pasur probleme si çift, por të njëjtat ai i konsideroi normale.

Dëshmitari shtoi se i akuzuari përveç problemeve që i ka pasur me bashkëshorten, ka pasur probleme edhe me anëtarë të tjerë të familjes.

Kurse të akuzuarin Sallahu, dëshmitari (vëllai i të akuzuarit ) gjatë dhënies së dëshmisë e ka përshkruar si nervoz dhe sipas tij kur është kthyer natën pas punës nuk ka pasur sjellje të mira.

Gjithashtu ai tha se personalisht kishte parë të akuzuarin duke përdorur narkotikë të llojit marihuanë dhe kokainë.

Ndërsa, lidhur me të ndjerin Jahja Hajdini, dëshmitari tha se i akuzuari Sallahu dhe viktima Hajdini kanë pasur raporte shumë të mira, duke shtuar se nuk kishte menduar asnjëherë që do të ndodhte diçka e tillë në mes tyre.

Po ashtu, i pandehuri Florim Sallahu, akuzohet edhe për veprën tjetër penale mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374 të KPRK-së.