Gjykimi i Florim Sallahut - Foto: KALLXO.com

Apeli ia rrit dënimin të akuzuarit për vrasjen e gruas dhe shokut

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë në rastin e Florim Sallahut për vrasjen e gruas së tij, Miradije Sallahu, dhe shokut Jahja Hajdini.

Gjykata e Mitrovicës, më 14 janar 2019, e kishte dënuar Sallahun me 24 vjet burg pasi e kishte gjetur fajtor në akuzat për për vrasje të rëndë dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, Florim Sallahu, në shkurt 2017 në fshatin Vërnicë të Vushtrrisë, në vendin e quajtur “Te Çeshmja”, në afërsi të lumit të fshatit, me dashje dhe me paramendim ka kryer dy vrasje për motive të ulëta.

Fillimisht ka privuar nga jeta tani të ndjerin Jahja Hajdinin dhe pastaj në dhomën e tyre të gjumit në shtëpinë e tij ka privuar nga jeta edhe bashkëshorten e vet – tani të ndjerën Miradije Sallahu.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri me qëllim që të vrasë tani të ndjerin Hajdini fillimisht i kishte telefonuar duke i caktuar takimin dhe duke insistuar që ai të vinte me automjetin e tij afër shtëpisë së të pandehurit.

Sipas Prokurorisë, në këtë automjet kishte hyrë i pandehuri Florim Sallahu dhe kishin vazhduar në drejtim të rrugës së fshatit për dalje në qytet. Në momentin e arritjes afër lumit, sipas aktakuzës, Sallahu kishte nxjerrë armën e zjarrit duke e qëlluar tani të ndjerin Jahja Hajdini, i cili në ato momente ishte duke drejtuar automjetin.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas goditjes së pësuar, këmba e të ndjerit kishte mbetur në pedalin e gazit të automjetit, me ç’rast ishte rritur shpejtësia e veturës e cila kishte përfunduar në lumin e fshatit. Ndërsa i pandehuri kishte arritur të hidhet nga vetura në tokë ndërsa në ato çaste aty kishte arritur dëshmitari Fatmir Sallahu me automjetin e tij. Aktakuza thotë se i pandehuri, duke e gënjyer kinse ka pësuar aksident, i kishte kërkuar dëshmitarit ta dërgojë në shtëpinë e tij.

Në vazhdim, sipas aktakuzës pasi që i pandehuri arrin në shtëpinë e tij kishte shkuar në katin e dytë në dhomën e gjumit, ku e kishte goditur bashkëshorten e tij me armën e zjarrit të cilën më pas e kishte fshehur pas objektit ndihmës te depoja e thëngjillit dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Gjykata e Apelit me datën 22 maj 2019, kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës së Mitrovicës përkitazi me cilësimin juridik dhe vendimit mbi dënimin duke i shqiptuar Florim Sallahut dënim me 25 vjet burgim.

I pandehuri nuk ndihet fajtor për vrasjen e bashkëshortes dhe fqinjit

Prokuroria në Mitrovicë kishte parashtruar ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë të gjykatës në Mitrovicë pasi pretendonte se gjykata kishte mbivlerësuar rrethanat lehtësuese sidomos duke konsideruar se i akuzuari kishte shprehur keqardhje dhe pendim për kryerjen e veprës penale, mosha e re e tij dhe shkallën e përgjegjësisë së zvogëluar që kishin ndikuar që Gjykata të mos japë dënimin maksimal.

Prokuroria sipas ankesës ka pretenduar se Gjykata e Mitrovicës është dashur të marrë parasysh edhe rrethanat tjera rëndësuese siç janë shkalla e lartë e dashjes, kur e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, rast në të cilin, sipas Prokurorisë, motivi ka qenë xhelozia.

Ndërsa Prokuroria e Apelit kishte kërkuar që të ndryshohet vendimi mbi dënimin dhe Florim Sallahu të dënohet me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Apelit lidhur me vlerësimin e rrethanave lehtësuese dhe rënduese ka gjetur se Gjykata e Mitrovicës nuk i ka vlerësuar realisht rrethanat lehtësuese dhe sidomos rrethanën e përgjegjësisë së zvogëluar të cilën e ka mbiçmuar “sidomos kur merret parasysh minimumi dhe maksimumi i paraparë ligjor për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje”.

Poashtu Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë rrethanat lehtësuese i kishte vlerësuar nga dy herë ndërsa nuk kishte vlerësuar realisht rrethanat rënduese siç janë mënyra e kryerjes së veprës penale dhe sjellja e mëhershme e dhunshme e të akuzuarit në raport me bashkëshorten.