Hyrje e Dhunshme në Objektin e Komunës

Hyrja ndodhi në mënyrë të dhunshme në orën 5 e 30 të mëngjesit nga ana e pasme e objektit në Qendrën për Shërbime me Qytetarë, së cilës iu dëmtua një dritare.

Sipas zyrtarëve komunalë besohet se qëllim i personave të paidentifikuar që hynë në komunë, ishte arka e këtij institucioni.

Faton Biqkaj, shefi i kabinetit të kryetarit të komunës tha për KALLXO.com se “dokumentet e komunës nuk janë prekur dhe as dëme tjera nuk ka pasi që zyrtari për arkë gjithmonë paratë i dërgon në bankë pas orarit të punës”.

Të panjohurit në komunë i hetoi së pari roja e objektit që njoftoi policinë.

Policia që ishte në vend të ngjarjes, ende nuk ka dalë me ndonjë raport rreth kësaj ngjarjeje.