Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Hetimet Ndaj Salih Mekajt Drejt Fundit

Hetimet ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, janë në përfundim e sipër, thotë prokurorja e rastit Drita Hajdari, ndërkohë që mbrojtja e të pandehurit ndihet e irrituar me “zvarritjet” tash kur ka kaluar gjysmë viti nga arrestimi dhe fillimi i hetimeve.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit ishte arrestuar më 20 korrik të vitit të kaluar nën dyshimin për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “ushtrim të ndikimit”.

Së bashku me Mekajn është arrestuar edhe Vlora Gorani. Ajo dyshohet për veprën penale “dhënie ryshfeti”.

Sot afër 6 muaj pas arrestimit, prokurorja Drita Hajdari thotë për KALLXO.com se hetimet janë drejt përfundimit. Rastin ajo e cilëson si shumë të ndjeshëm.

Ndonëse prokurorisë i janë lënë në dispozicion dy vite kohë për zhvillimin e hetimeve, avokati i Mekajt, Destan Rukiqi, thotë se ndihet i irrituar nga vonesat në këtë rast.

“Me aq sa di unë, të gjitha veprimet hetimore lidhur me këtë rast kanë përfunduar. Unë nuk e di se pse prokurorja nuk po merr një vendim për pushimin e hetimeve ose ngritjen e aktakuzës. Kjo po më bën të ndihem i irrituar”, thotë Rukiqi për KALLXO.com

Avokati thotë se është i vetëdijshëm se pala akuzuese është ende brenda afatit kohor, por vlerëson se ky nuk është një rast hetimet e të cilit do të duhej të zgjasnin dy vite.

“Zvarritja e hetimeve rrezikon të drejtat e parapara për të mbrojturin tim, të garantuara me nenin 6 të Konventës Evropiane dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Unë jam i vetëdijshëm se prokuroria është në kohë, por afati prej dy viteve do të duhej të shfrytëzohej vetëm në rastet më të ndërlikuara”, thekson Rukiqi për KALLXO.com.

Edhe avokati i të dyshuarës Vlora Gorani, Besnik Berisha, thotë se prokurorisë do të duhej t’i duhej shumë më pak kohë për këtë rast.

“Duke ditur pretendimin e prokurorisë së ka arrestuar kryetarin e Apelit mbi bazën e provave, në kushte normale do të duhej që brenda më së shumti tre javësh ajo të ngriste aktakuzë. Ndërsa, kalimi i kohës prej gati 6 muajsh është sinjal se prokuroria në këtë rast do të dështojë sikur në shumë raste të tjera”, tha Berisha për KALLXO.com

Prokurorja Drita Hajdari pretendon se Gorani ishte takuar disa herë me Mekajn me qëllim që ky i fundit të ushtronte ndikim te një gjyqtare për lirimin nga paraburgimi të burrit të saj që akuzohej për shtytje në vrasje.

Për shkak të këtyre dyshimeve, Sali Mekaj ishte pezulluar nga puna nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës deri në përfundimin e këtij rasti.

Në një hulumtim të publikuar më 22 korrik të vitit të kaluar, KALLXO.com kishte ofruar detaje rreth rastit dhe cilat ishin arsyet pse ish-kryetari i Gjykatës së Apelit po hetohej.

http://kallxo.com/ekskluzive-detajet-pse-salih-mekaj-u-arrestua/