Partia e Ashkalinjve për Integrim - Foto: Rtv21

Hetem Arifi u rizgjodh kryetar i Partisë së Ashkalinjve për Integrim

Me 173 vota pro, tri abstenime dhe një votë kundër, Partia e Ashkalinjve për Integrim ka rizgjedhur Hetem Arifin kryetar të saj.

Qazim Rrahmani, kryesues i kuvendit zgjedhor tha se nga 101 anëtarë që duhet të jenë prezentë për zgjedhjen e kryetarit, PAI ka arritur të ketë prezentë 176 anëtarë, të cilët sipas tij, në këtë formë kanë dëshmuar vullnetin e tyre për katër vitet e ardhshme.

Ndërsa, kryetari i rizgjedhur i PAI-së, Hetem Arifi tha se do të fokusohet që të përmirësojë jetën e qytetarëve, në ofrimin e edukimit cilësor për të rinjtë ashkalinj, krijimin e vendeve të punës e të tjera.

Më këtë rast, Arifi premtoi se do të përkushtohet maksimalisht në përmirësimin e jetës së komunitetit ashkali.

“Jeta më ka mësuar se nuk ka asgjë më të shenjtë se besimi i njeriut ndaj njeriut. Faleminderit për besimin që ma keni dhënë për të udhëhequr edhe një mandat PAI-në. Do të jem përherë mirënjohës dhe përgjegjës ndaj jush dhe qytetarëve ashkalinj. Do të filloj menjëherë të punoj që çdo vend ku ka ashkalinj, do të punojmë për të mirën dhe nuk do të lejojmë që të ketë ngecje. Do t’i përmirësojmë të gjitha një e nga një”, tha ai me rastin e rizgjedhjes si kryetar.

Arifi tha se ka shumë punë për t’u bërë, ndërsa kërkoi nga kuvendi i PAI-së që të jetë gjithmonë i hapur për qytetarin e Kosovës, gjegjësisht komunitetin ashkali.

Ndryshe, kuvendi i tretë zgjedhor i PAI-së në mbledhjen e tretë të rregullt zgjedhore ka miratuar edhe raportin e punës 4 vjeçare, ndryshimet në statutin e PAI-së, si dhe ka zgjedhur këshillin e përgjithshëm të partisë./21Media