Kurti takon përfaqësuesit e komuniteteve, flasin për mundësinë e bashkëpunimit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë së VV-së, Xhelal Sveçla, kanë takuar  kandidatët për deputetë nga komuniteti boshnjak, egjiptian dhe ashkali, Emilija Redzepi, Duda Balje, Artan Berisha, Veton Berisha dhe Hetem Arifi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti me përfaqësuesit e komuniteteve kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit.

“Me përfaqësuesit e këtyre komuniteteve biseduam për mbarëvajtjen dhe rezultatin e procesit zgjedhor, për planet e qeverisë së re, sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit për shtet ndërtim demokratik dhe progres socio-ekonomik”, thuhet në njoftimin e VV-së.

VV bën të ditur se prioritet i Qeverisë Kurti do të jetë zhvillimi ekonomik.

“Prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit institucional përmes gjyqësorit të drejtë, dhe politikat sociale që zbusin pabarazinë në shoqëri”, thekson komunikata.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Kurti ka siguruar përfaqësuesit e komuniteteve se qeveria e tij do t’i trajtojë të gjithë qytetarët e Republikës në mënyrë të barabartë.

“Pavarësisht përkatësisë kombëtare dhe theksoi se përparimi i komuniteteve pakicë bëhet përmes zhvillimit ekonomik dhe se kjo do të jetë prioritet me qeverinë e re. Në përfundim të takimit shprehëm gatishmërinë për ta vijuar dhe zgjeruar komunikimin dhe bashkëpunimin mes nesh”, thuhet në komunikatë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.

Sipas rezultateve preliminare e para në këto zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje e pasuar nga LDK dhe PDK.