Hydajet Hyseni pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm - Foto: KALLXO.com

Hyseni: Në VV Ka Mospajtime Por Jo Çarje

Lëvizja Vetëvendosje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ka vendosur të shpallë zgjedhjet e rregullta për kryetar të partisë.

Sipas kryesuesit të Këshillit, Hidajet Hysenit, kjo pikë është edhe me statut sepse në shkurt i skadon mandati kryetarit të tashëm, Visar Ymerit, si dhe në rastin e regjistrimit është edhe obligim ndaj KQZ-së zgjedhja e organeve drejtuese të Lëvizjes.

Hyseni tha pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm se janë diskutuar edhe pika të tjera, në mesin e tyre edhe për koalicionet, pasi që, sipas tij, është Këshilli i Përgjithshëm si organi më i lartë i partisë ai që shqyrton, vendos dhe miraton koalicionet në nivel qendror dhe lokal.

Mbledhja, sipas tij, shkoi në frymë të rregullt, të mirëkuptimit, debatit, konstruktivitetit dhe pa asnjë problem serioz.

Ndërsa i pyetur për mungesën e kryetarit Visar Ymerit në këtë mbledhje, Hydajet Hyseni tha se nuk është hera e parë që mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm mbahet pa praninë e kryetarit.

“Në këto raste fjalën e merr nënkryetari dhe këtë radhë ishin dy nënkryetarë“, tha ai, duke përkujtuar se Ymeri i ka kontaktuar dhe u ka uruar punë të mbarë.

http://kallxo.com/albin-kurti-letra-e-plote-nga-burgu-lipjanit/

I pyetur nga gazetarët e ka çarje në Vetëvendosje, Hyseni tha se mospajtimet ende nuk mund të quhen çarje, kurse “dallime në qëndrime nuk ka vetëm në varreza”.

“Njerëzit e gjallë gjithmonë kanë dhe i tejkalojnë ato me debat, në mënyrë demokratike”, shtoi Hyseni.

Ndërsa, Ismajl Kurteshi tha se Vetëvendosje është unike dhe e fortë dhe do të dalë shumë më e fortë sesa ka qenë deri tash.

Për Aida Dërgutin, Kurteshi tha se është një aktiviste e dalluar e VV. “E ka ba një gabim, të cilin e bëjnë të gjithë njerëzit dhe ne kemi me ecë bashkë edhe me Aidën dhe me të gjithë ata që janë brenda programit të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kurteshi.