Takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj me presidentin shqiptar, Ilir Meta - Foto: Facebook/RamushHaradinaj

Haradinaj: Shqiptarët po faktorizohen

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është duke qëndruar në Tiranë edhe pas konferencës për sigurinë globale që po mbahet në kryeqytetin shqiptar.

Ai është duke zhvilluar takime të shumta me politikanë të shteteve të ndryshme që morën pjesë në këtë konferencë.

Kryeministri Haradinaj bashkë me koordinatorin nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahirin, janë takuar sot me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Në këtë takim janë diskutuar proceset politike nëpër të cilat po kalojnë Kosova dhe Shqipëria.

Në një postim në Facebook, kryeministri Haradinaj tha se ai bashkë me presidentin Meta kanë ndarë besimin e përbashkët se të dyja vendet kanë shënuar progres në rrugën e integrimeve europiane.

“Shqiptarët po faktorizohen duke marrë përgjegjësitë e tyre për t’i kontribuar paqes së qëndrueshme në rajonin tonë”, shkroi Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj është takuar edhe me homologun e tij bullgar Boyko Borissov dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.