Haradinaj Pjesë e Maratonës ‘Shtegu i Shpresës’

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u është bashkuar maratonistëve në “Shtegun e Shpresës”, një vrapim i gjatë mbi 100 kilometra, që ka nisur në Prekaz, ka vazhduar drejt Gllogjanit dhe ka përfunduar në Koshare.

Pjesëmarrjen në këtë maratonë Haradinaj e ka bërë publike përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”.

“Nga Gllogjani në Koshare, iu bashkova maratonistëve në “Shtegun e Shpresës”, në kujtim të sakrificës sublime në rrugën tonë për liri. Shtigjet e të kaluarës mbajnë gjallë shpresën për Kosovën që duam!”, ka shkruar ai.

Pjesë e kësaj maratone, të cilën e ka organizuar organizata “Kosova Trail Running Association”, ishte edhe një ekip i Ambasadës britanike, i kryesuar nga ambasadori Ruairi O’Connell, i cili ka publikuar edhe një foto nga Kosharja.