Haradinaj në mbrojtje të taksës në Konventën e 3-të të Përpunuesve të Drurit - FOTO

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ripërsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës është vendim i duhur.

“Ndoshta ia vlen që edhe këtu ta përmend taksën për produktet e dy vendeve. Ne i kemi 10 vjet që mundohemi me u marr vesh me Serbinë qe të hiqen tarifat për produktet tona, nëpër CEFTA dhe organizata të tjera, por askush deri sot nuk na ka përfillur. Kjo e vërteton qe taksa e vendosur është e drejtë dhe e duhur”, tha Kryeministri në Konventën e Industrisë së Drurit që është hapur sot në Prishtinë.

Haradinaj ndër të tjerash shtoi se Në Kosovë ka parametra që prodhuesit vendor të nxjerrin produkte të cilat mund ta garojnë jo vetëm ne vend, por edhe më gjerë.

“Linjat e prodhimit në tërësi në Kosovë janë të liruara prej taksave. Politika jonë fiskale është e qëndrueshme. Tatimi në fitim është 10 për qind si dhe ka lirim të TVSH-se për eksport”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, drejtoresha e Misionit USAID në Kosovë, Lisa Magno tha se sektori i përpunuesve të drurit në Kosovë është ndër më të zhvilluarit dhe entuziazmuesit ne vend.

“Ka potencial që ky sektor të rritet edhe më tutje. Jemi këtu të japim një shtytje të vogël, një mbështetje. Me kompanitë në Kosovë jam befasuar për të mirë”, tha ajo.

Konventa e Industrisë së Drurit organizohet çdo vit për t’i promovuar mobiljet e prodhuara në Kosovë dhe për ta mbështetur zhvillimin e industrisë së përpunimit të drurit në vend.