Haradinaj flet për monopolin në homologim

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur rreth monopolit të homolgimit.

I pyetur nëse do ta anulojë Udhëzimin Administrativ që i siguron një kompanie monopol në homologim, ai ka thënë se i beson vlerësimeve profesionale nga ata që kanë marrë përgjegjësi.

“Ministri dhe ministria i analizojnë këto zhvillime na propozojnë se çka është mirë me vepru. Është si në rastin që bisedojshim për Telekomin më thonin mua a ke me anulu kontratën, këtë kontratë apo atë kontratë, kur të jam drejtor i anuloj kur jam kryetar Qeverie bazohna në vendimin e atij që është i mandatuar, pra dikush ka mandat që i mandatuar. Dikush ka mandat besoj që do të reflektojnë, unë nuk marr vendime, duhet me u bazu në vendimet profesionale të tyre”, ka thënë Haradinaj gjatë konferencës së sotme për media.

Diskutimi për çështjen e monopolit në homologim po vjen rreth një vit pasi Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’, kishte realizuar hulumtim për këtë temë.

Ministria e Infrastrukturës është kujdesur që të trashë edhe më shumë monopolin e homologimit. Për 10 vjet, e njëjta ministria ia kishte garantuar monopolin në homologim të veturave kompanisë EuroLab, duke ia caktuar edhe shumë që qytetarët do të obligohen që ta paguajnë për homologim.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kjo praktik mund të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi Ministria e Infrastrukturës e ka hartuar një Udhëzim Administrativ përmes të cilit e vështirëson hapjen e tregut për këtë Homologim. Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar pa procedurat konkurruese të njëjtën kompani, EuroLab për të kryer edhe “A-testimin” e veturave, që tash do të quhet homologim individual. Deri më tani “A-testimi” është bërë nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.