Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj diskuton me 'naftëtarët' për çmimet e naftës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në zyren e tij përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve, me të cilët ka biseduar në lidhje me çmimin e naftës dhe derivateve të saj në tregun e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës me vëmendje po e përcjellë gjendjen në tregun e naftës dhe do të bashkëpunojë ngusht me mekanizmat që e rregullojnë këtë sektor. Në takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve kam shprehur interesimin institucional për çmimin e naftës dhe derivateve të saj në tregun e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tej kryeministri Haradinaj ka thënë se pasi ka dëgjuar edhe qëndrimin e tyre, iu ka premtuar për angazhimin tij për zgjidhjen e shumë pengesave administrative me të cilat po përballet ky treg.

Ndër pengesat e përmendura janë mungesa e ligjit për naftën dhe e depove doganore, si dhe taksa për kyçjen në rrugë, të cilat e rrisin koston e importuesve dhe rrjedhimisht edhe çmimin në treg.

“Duke respektuar tregun e lirë, kam insistuar në kujdes ndaj qytetarëve të vendit”, ka thënë Haradniaj.