Një pistoletë e konfiskuar (Arkiv) | Foto: Dogana e Kosovës

Gjobë Përdoruesit të Armës në Fejesë të Djalit

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 300 euro gjobë Ahmet Zejnullahun pasi në seancën fillestare të zhvilluar ndaj tij Zejnullahu e pranoi se kishte shtënë me armë për fejesë të djalit.

Zejnullahu e pranoi fajësinë, pasi iu lexua aktakuza nga prokurorja Besa Limani

“E pranoj se ashtu ka qenë dhe se arma ka qenë armë me gaz dhe nuk e kam ditur që këtu është e ndaluar,” tha Zejnullahu.

Ai tregoi se armën me të cilën shtiu e kishte blerë në Gjermani ku edhe jeton, ndërsa tha se në shtetin gjerman posedimi i një arme të tillë nuk është i ndaluar.

Më pas me pranimin e fajësisë u pajtua edhe prokurorja Limani, ndërsa këtë pranim e miratoi kryetarja e trupit gjykues Suzana Qerkini.

Qerkini pastaj shpall vendimin për Zejnullahun, duke e dënuar atë me 300 euro gjobë dhe 50 euro pagesë të shpenzimeve të gjykatës. Zejnullahut gjithashtu iu konfiskua arma.

Ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë akuzonte Zejnullahun se kishte shtënë disa herë në ajër me revolen e tij të tipit “Ecol Special” të kalibrit nëntë milimetra, pasi kishte marrë konfirmimin për fejesë të djalit.

Arma të cilën Zejnullahu e mbante pa leje ishte konfiskuar nga policia së bashku me gëzhojat e shtatë predhave.