Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilan, fëmijët e pavarësisë në Ditën Olimpike

Fëmijët e lindur në vitin e pavarësisë nga shkollat e komunave të regjionit të Gjilanit, ishin ata të cilët me vrapimin e tyre garues, nga Kazerma e FSK-së deri në sheshin “Agim Ramadani” e “Idriz Seferi”, kanë shënuar Ditën Olimpike 2019.

Në hapjen e kësaj ngjarje, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Hajdari, ka thënë se në Gjilan kjo është hera e dytë që bartet simbolika e fuqishme në shënimin e Ditës Olimpike 2019.

“Falënderoj fëmijët e lindur në vitin e pavarësisë së Kosovës dhe shkollat ku ata mësojnë për këtë ngjarje të rëndësishme që kanë organizuar në qendrën e Gjilanit. Kjo garë e cila ka mbledhur një numër të konsiderueshëm të nxënësve, është garë e energjive të reja dhe e vullnetit të jashtzakonshëm”, ka uruar ajo në fjalën e saj.

Kjo garë është zhvilluar në kategorinë e femrave, ku vendin e parë e ka zënë Elvina Sinani nga shkolla “Mulla Idriz Gjilani”, pastaj në vendin e dytë Oltesa Zeneli, e shkollës “Ramiz Cernica” dhe Viola Jahiu, “Mulla Idriz Gjilani” në vendin e tretë.

Ndërsa në kategorinë e djemve vendin e parë e zuri Besir Banushi nga shkolla “Esat Berisha”, në vendin e dytë Rilind Maliqi nga shkolla “Nazim Hikmet” dhe vendin e tretë Rion Emini nga shkolla “Thimi Mitko”, të cilëve u janë ndarë medalje me logon e komitetit olimpik.