Gjendet një i Vdekur në Shtëpinë e Djegur

Ende nuk dihen rrethanat të cilat çuan në vdekjen e 85-vjeçarit ditën e djeshme në Mitrovicë.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore  për obduksion.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi e Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti.

“Jemi duke e pritur raportin nga Mjekësia Ligjore. Trupi i pajetë është gjetur pasi që është shuar zjarri në shtëpinë e tij dhe është herët të flasim për rrethanat e vdekjes”, tha Zahiti.

Për këtë rast Policia ka njoftuar edhe në raportin e saj 24 orësh.

“Në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri një shtëpi. Njësitë relevante  kanë dalë në vend të ngjarjes përderisa nga ana e zjarrfikësve është shuar zjarri. Pas lokalizimit të zjarrit, brenda shtëpisë është gjetur pa shenja jete viktima e gjinisë mashkullore”, thuhet në raportin e Policisë.

“Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor dhe me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, shton raporti.

Rasti nga Policia po trajtohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.