Gara të rrezikshme me vetura në rrugët e Tiranës

Shpejtësia mbi normat e lejuara që varionte deri në 190 km/h, gara të rrezikshme në rrugë dhe alkool gjatë drejtimit të automjetit që varionte deri në 1.14 mg/l, ishin shkeljet të cilët “zbehën” argëtimin edhe këtë fundjavë.

Policia e Shtetit njofton se për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin, këto shkelje ishin nën vëzhgim të Policisë Rrugore të Tiranës, përgjatë orëve të vona të së ëremtes deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës, si dhe gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme e deri në orën 05.00 të mëngjesit të sotëm.

Nga kontrollet e alternuara si në zonat urbane dhe ato interurbane të kryeqytetit janë konstatuar shkelje dhe janë proceduar masat si në vijim: Janë arrestuar në kushtet e flagrancës 13 persona, nga të cilët 12 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 1 për korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, janë pezulluar 34 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, janë pezulluar 32 leje drejtimi për shpejtësi mbi normat e lejuara.

Ndërsa, janë proceduar administrativisht 10 drejtues mjetesh për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara dhe gara në shpejtësi.

Siç njofton Policia e Shtetit, janë proceduar edhe 21 drejtues mjetesh të papajisur me siguracionin e detyrueshëms, si dhe 94 drejtues mjetesh për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.