Gjobitet shoferi që voziti me shpejtësi prej 263km/h në Malishevë

300 euro gjobë, heqje e patentë shoferit për tre muaj dhe 3 pikë negative i janë shqiptuar shoferit që drejtoi veturën me shpejtësi 263 km/h.

Këtë shpejtësi, shoferi nga Gjakova e zhvilloi në zonën e kufizuar të shpejtësisë në 100 km/h, në fshatin Mleqan-Malishevë, njoftoi Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës thotë se është njoftuar për këtë kundërvajtje përmes një video-incizimi të shpërndarë në rrjete sociale.

“Me datën 08.02.2024 në një video incizim të shpërndarë në rrjete sociale ishte publikuar vetura BMW e cila në fshatin Mleqan-Malishevë,  drejtohej me shpejtësi 263 km/h, në zonën e kufizuar të shpejtësisë në 100 km/h” – thuhet në njoftimin e policisë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut, me qëllim të ngritjes së sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve.

Foto: Policia e Kosovës, Facebook