GAP - Arkiv

GAP - Kryetarët e Komunave përmbushën vetëm 165 nga 903 premtimet e dhëna në fushatë

Instituti GAP, ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2017.

Nga gjithsej 903 premtime të evidentuara nga Instituti GAP, gjatë periudhës janar 2018 – dhjetor 2018 – viti i parë i mandatit katërvjeçar – janë përmbushur 165 premtime, pjesërisht të përmbushura rezultojnë 94 premtime, në 345 premtime ka pasur nisma në përmbushjen e tyre, ndërsa 299 premtime ende nuk kanë nisur së realizuari.

“Numri më i madh i premtimeve të realizuara është shënuar në fushën e infrastrukturës, arsimit, administratës dhe shërbimeve publike. Ndërsa fushat ku ka ngecje në përmbushjen e premtimeve janë ajo e ekonomisë, shëndetësisë, bujqësisë, si dhe ajo e urbanizimit”, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Instituti GAP bën monitorimin e realizimit të premtimeve vetëm në 26 komuna, sepse disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore.

“Komunat si Skenderaj, Mamusha dhe dhjetë komunat e banuara me popullatë shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete”, theksohet në komunikatën e GAP-it.

Përmes vlerësimit të këtyre premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. Sipas njoftimit të këtij instituti vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike përmes bashkëpunimit me organizatat lokale.