AAK premton heqjen e taksës për produktet që eksportohen nga Kosova

Në DebatPernime, kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj duke folur për sigurinë e ushqimeve në vend ka thënë se faji për sigurinë e ulët të produkteve fillon nga doganat e deri tek maketet të cilat i shesin këto produkte.

“Është e vërtetë që ka probleme dhe këtë nuk mund ta mohon askush, nëse flasim për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, atëherë po ju them që për periudhën 18 mujore i kemi vetëm në një muaj 84 mijë kilogram mish të eliminuar dhe këtu bënë pjesë edhe dogana që e ka lejuar hyrjen, pra është një rrjet në të cilin nuk është vetëm një institucion i caktuar përgjegjës, por është prej pikës kufitare deri te shitorja e fundit ku plasohet në treg ai produkt”, tha Haradinaj.

Kandidati i AAK-së, për deputet ka premtuar heqjen e taksës për prodhuesit vendor në Kosovë.

“Kosova prodhon vetëm për 31 ditë mishin e kuq i bën 11 muaj ne e kemi nga jashtë, duhet të rritet kontrolli, duhet të rriten mundësitë për të krijuar prodhim të brendshme, ajo që krijohet në Kosovë është me bio sesa në shumë shtete të BE-së dhe 90 për qind të produkteve tona që eksportohen nga Kosova ne do ti lirojmë prej taksës, kjo ka për qëllim të shtojë numrin e prodhuesve vendorë”, ka thënë Haradinaj.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Haki Abazi- Vetëvendosje, Hykmete Bajrami- Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka -AKR NISMA PD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.