AAK-PSD premtojnë rritje të pagave në sektorin publik dhe ligj për Mitrovicën

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj të hënën në Obiliq ka premtuar rritje të buxhetit për këtë komunë, rritje të pagës minimale, shërbime shëndetësore e shtesa për fëmijë.

“Është shliruar Obiliqi me Ligjin për Obiliqin. Unë po ju them shumë shkurt, kemi me rritë buxhetin për Obiliqin për vjet. Kemi me rritë përkrahjen për këtë komunë e për këtë popull për vjet, qysh kemi me i rritë pagat 10 për qind çdo fillim viti për krejt sektorin publik”, tha ai.

“Kemi me rritë pagën minimale 250 euro, qysh jemi marr vesh me Shpendin. Kemi me bo shtëpi të pleqve, kemi me u kujdes dhe me i nderu pleqtë tonë. Kemi me bo shërbim shëndetësor të garantuar. Do t’i bëjmë shtesat për fëmijë”, premtoi Haradinaj.

Haradinaj premtoi ligj edhe për Mitrovicën.

“Do t’i bëjmë ligj edhe Mitrovicës, dojmë me i dhanë buxhet shtesë dhe po dojmë pastaj prej çdo tonelate të xehes një përqindje t’i shkojë popullit atje. Po dojmë ta zhvillojmë Mitrovicën, në jug e veri me i marr lakmi krejt Serbia me pa qysh dimë me punu na e qysh dimë me u zhvillu”, tha ai.

Kurse, kryetari i Degës së AAK-së në Obiliq, Xhafer Gashi foli për vendimet që janë marrë në qeverisjen e Ramush Haradinajt.

“Kemi njerëz që këtu që të gjithë juve dhe mua na kanë gëzuar me formimin e Ushtrisë. Krahas kësaj ndodhi edhe taksa. Ushtria është realitet, nuk është fushatë. E di që ju do të jeni në mbështetje të koalicionit AAK-PSD”, tha ai.

Dardan Sejdiu nga PSD-ja tha se për të besuar në programin e koalicionit të tyre, duhet besuar në udhëheqës.

“Unë besoj në z. Haradinaj. Haradinaj përkundër presioneve dhe shantazheve Ligjin për Ushtrinë e solli në Kuvend. Duhet me pasë guxim me vepru, lehtë është me fol. Fondi zhvillimor që është në programin tonë e që do të investojë në katër sektor dhe një prej tyre është i energjisë që në komunën tuaj do të krijojë vende të reja të punës”, tha ai.

Sejdiu premtoi amendamentim të Ligjit për Pagat.

“Ligjin për paga do ta amendamentojmë. Ndërmarrjet publik nuk do të preken nga ligji i pagës. Secili punëdhënës në sektorin publik, tash e tutje do të ketë një pagë të garantuar që nuk varet fare prej kujt vjen”, u shpreh Sejdiu.