LDK: Mësimdhënësit nuk do të vlerësohen me 'testim policor' por do të vlerësohen në bazë performancës

Lidhja Demokratike e Kosovës në #DebatPernime ka dhënë premtime për arsimin dhe sportin.

Kandidati i LDK-së për deputet, Xhevat Rexhaj ka premtuar se mësimdhënësit nuk do të përballen me testim policor në kuadër të vlerësimit të tyre, por ata do të vlerësohen në bazë të performancës që bëjnë në shkollë.

LDK ka premtuar se do t’i bëjë 105 inspektorë të arsimit, kur përveç inspektorëve do të ketë edhe monitorues e mbikëqyrës.

Kandidatët e LDK-së kanë folur edhe për ndërtimin dhe renovimin e stadiumeve me kritere të UEFA-së dhe FIFA-së.

LDK ka premtuar se deri në fund të mandatit 7 stadiume në Kosovë do të plotësojnë kriteret e UEFA-së për stadiume.

Ata gjithashtu kanë deklaruar se synim e kanë që stadiumi nacional “Dardania Arena” të kthehet në Prishtinë.

Më poshtë mund t’i lexoni përgjigjet e kandidatëve për deputetë të LDK-së:

Jeta Xharra: Kur ka me u kry testimi dhe rivlerësimi i mësimdhënësve ?

Xhavit Rexhaj: Nuk do të bëjmë fare testim policor ndaj mësimdhënësve. Vlerësimi i mësimdhënësve do të bëhet në kuadër të vlerësimi të performacnës në shkollë dhe zhvillimi profesion do të bëhet në shkollë. Do të jetë i vazhdueshëm në 4 vite.

Jeta Xharra: Sa inspektor të arsimi keni me i pasë kur të vini në pushtet ?

Xhavit Rexhaj: 105 në rajone dhe do të ketë një numër tjetër në komuna me funksion monitorues dhe mbikëqyrës.

Jeta Xharra: Çka do të bëni me mësuesit që kanë mbetur pa punë pas mbylljes së shkollave ?

Xhavit Rexhaj: Do ta pasurojmë ofertën arsimore të shkollave duke siguruar shërbime profesionale. Për të gjithë mësuesit do të ketë vend.

Jeta Xharra: A do të siguroheni se çdo shkollë e Kosovës do të jetë e kompletuar me laborator dhe kur do t’i kenë këto mandate ?

Xhavit Rexhaj: Koncepti i laboratorit është i vjetruar. Ne do të shkojmë me laboratorë mobile, digjitale me aplikacione sofuterik, me kodime. Çdo shkollë do të ketë shumë pajisje të tilla, por koncepti i vjetër i laboratorëve nuk shitet më askund.

Jeta Xharra: Këtë vit për herë të parë është bërë ligji për sponozorim, këtu është mbështet edhe ligji për tatim në korporata. A keni me i bo transparente të gjitha dokumentet edhe emrat e bizneseve që iu njihet e drejta 30% të fitimeve me i dhënë për sport

Faton Peci: Ne synojmë qeverisje mbi bazën e parimit të sundimit të së drejtës. Transparenca, e kemi treguar edhe në ta kaluarën. Ministri Kujtim Shala ka qenë ministri i parë që i ka bërë transparente të gjitha shpenzimet.

Jeta Xharra: Sa stadiume do t’i plotësojnë kushtet e UEFA-së deri në fund të mandatit ?

Faton Peci: Për një mandat ne synojmë që t’i kemi 7 stadiume me standarde të FIFA-së dhe UEFA-së të kategorisë 2 dhe 4. Ne si LDK-së synojmë që stadiumi nacional “Dardania Arena” ta rikthejmë aty ku e ka vendin, në Bërrnicë në Prishtinë.