Bora në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Ftohtë e Borë në Pesë Ditët e Ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka dhënë parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme.

Sipas IHMK-së, Kosova do do të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të lartë atmosferik.

“Në këto kushte do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje të borës të cilat fillimisht do ta përfshijnë veriun e vendit dhe më tej gjithë territorin”, thekson Instituti përmes një komunikate.

Reshjet më intensive parashihen të jenë në veriperëndim të vendit dhe në jugperëndim, por edhe pjesë tjera do të kenë reshje por të intensitetit më të ulët.

IHMK njofton se temperaturat minimale do të regjistrohen të hënën diku nga -9 deri -7 gradë Celsius, kurse ditëve në vijim do të shënojnë vlerat nga -6 deri -4 gradë Celsius.

Kurse, temperaturat maksimale do të lëvizin ndërmjet  -3 deri -1 gradë Celsius.

“Do të fryjë erë nga  veriu dhe verilindja me shpejtesi nga 2-9m/s”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.